Dogana e Kosovës ka identifikuar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave dhe tentimit për shmangie të procedurave doganore në Zyrën e Doganimit të Brendshëm në Aeroport.
Sipas Doganës, rasti është zbuluar gjatë procedurës së zhdoganimit, kur një zyrtar doganor ka ngritur dyshime lidhur me përshkrimin dhe llojin e mallit të deklaruar si “Polycarboxylate Superplasticizer”.
Pas kontrollit fizik të pakos, është konstatuar se përshkrimi i deklaruar nuk përputhej me mallin e gjetur.
“Gjatë kontrollit është konstatuar se bëhej fjalë për produkte medicinale të destinuara për dobësim, të cilat, sipas të dhënave të rastit, nuk janë të aprovuara për qarkullim në treg dhe për importimin e tyre kërkohet leja përkatëse nga Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPPM)”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Vlera e mallit, pa përfshirë detyrimet dhe taksat, është 1,775.90 euro.
Dogana ka bërë të ditur se nga veprimet e ndërmarra është evidentuar se pala ka tentuar të shmangë kontrollin dhe procedurat përkatëse doganore, duke ndryshuar përshkrimin e mallit dhe duke deklaruar të dhëna jo të sakta.
“Qëllimi ka qenë shmangia e detyrimeve dhe lejeve të nevojshme për vendosjen e mallit në qarkullim të lirë”, thuhet në njoftim.
Për rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Sipas Doganës, veprimet e palës janë trajtuar si kundërvajtje doganore, bazuar në Kodin Doganor dhe të Akcizave.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e legjislacionit, parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore dhe kontrollin e mallrave që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me institucionet kompetente.