Dogana e Kosovës ka konfiskuar 876 kilogramë duhan dhe 118 mijë cigare të dyshuara për kontrabandë, gjatë një aksioni të zhvilluar në disa hapësira depoje në Prizren.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, aksioni është realizuar më 28 shtator 2026 nga njësitet e Sektorit Anti-Kontrabandë, bazuar në informacione të siguruara nga terreni.
Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë gjetur 791 kilogramë duhan të grirë të paketuar dhe 85 kilogramë duhan të grirë të papaketuar.
Po ashtu, janë evidentuar 21 mijë cigare të markës “Marble”, pa banderolë, si dhe 97 mijë cigare me banderolë të Bosnjës dhe Hercegovinës, por pa banderolë të Republikës së Kosovës.
“Gjithsej janë ndaluar 876 kg duhan dhe 118,000 cigare”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Doganës dhe prokurori kujdestar. Ndërkohë, personi përgjegjës për hapësirat ku është gjetur malli është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Malli i konfiskuar është dërguar për ruajtje nën mbikëqyrjen doganore, ndërsa rasti po trajtohet në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente.