Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë parandaluar futjen e një arme ajrore të padeklaruar dhe të ndaluar për import në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Rasti ka ndodhur gjatë kontrolleve rutinore të udhëtarëve. Një udhëtar, i cili kishte kaluar përmes kanalit të gjelbër, është përzgjedhur për kontroll të bagazhit përmes skanerit.
Pas dyshimeve të ngritura nga pamjet e skanerit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll fizik të bagazhit, ku kanë gjetur një revole ajrore “FB Record”, të kalibrit .177.
Sipas Doganës, arma ishte e çmontuar dhe e mbështjellë me foli alumini dhe rroba, në përpjekje për ta fshehur gjatë kalimit nëpër aeroport.
Arma është ndaluar dhe i është dorëzuar Policisë Kufitare në Aeroportin e Prishtinës për procedim të mëtejmë.
Ndaj udhëtarit do të zhvillohen procedurat përkatëse administrative dhe ligjore.
Dogana e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në parandalimin e futjes së mallrave të ndaluara dhe kontrabandës, në bashkëpunim me institucionet kompetente për garantimin e sigurisë dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi.