Dogana sekuestron mbi dy mijë e 500 pako barnash në vlerë mbi 20 mijë euro në Prishtinë

Dogana e Kosovës ka sekuestruar gjithsej 2,559 pako barnash pa banderola të Republikës së Kosovës, gjatë kontrolleve të zhvilluara në një subjekt farmaceutik dhe një shtëpi banimi në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Doganës, njësitë kompetente, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve, kanë kontrolluar një subjekt farmaceutik, ku në pjesën e tualetit është zbuluar një hapësirë e modifikuar, në të cilën ishin fshehur 2,161 pako barnash pa dokumentacion mbulues dhe pa banderola RKS.

Me autorizim të prokurorit kompetent, kontrolli ka vazhduar edhe në një shtëpi banimi të ndërlidhur me rastin. Aty, në bodrum dhe pjesë të tjera të objektit, janë gjetur edhe 398 pako barnash pa banderola.

Në të dy lokacionet janë sekuestruar gjithsej 2,559 pako barnash, të cilat janë evidentuar dhe dokumentuar së bashku me specifikacionet përkatëse.

Sipas Doganës, vlera doganore e barnave të gjetura në subjektin farmaceutik është 15,112.84 euro, ndërsa në shtëpinë e banimit 5,633.10 euro.

“Vlera e përgjithshme doganore e mallit të sekuestruar është 20,745.94 euro”, thuhet në njoftim.

Rasti është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin kompetent dhe institucionet përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtimit të paligjshëm të barnave, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe interesave financiare të Republikës së Kosovës.

Të fundit nga rubrika