Dogana e Kosovës ka zbuluar 30 mijë euro të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, gjatë një kontrolli të përbashkët me Policinë e Kosovës.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur në hyrje të Republikës së Kosovës, ku për kontroll është paraqitur një kamion me gjysmërimorkio të zbrazët. Gjatë intervistimit, drejtuesi i automjetit, shtetas i Kosovës, ka deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare që duhej të deklaroheshin.
Megjithatë, bazuar në analizën e rrezikut, zyrtarët doganorë dhe policorë kanë kryer një kontroll të detajuar, gjatë të cilit janë gjetur mjete monetare të fshehura në dollapin e kamionit, si dhe një pjesë e tyre në jastëkun e shoferit.
“Nga kontrolli janë zbuluar gjithsej 30,000 euro, në kartëmonedha prej 20, 50, 100 dhe 200 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se mjetet monetare janë ndaluar përkohësisht, ndërsa rasti është proceduar në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, si dhe legjislacionin në fuqi për deklarimin e mjeteve monetare gjatë hyrjes dhe daljes nga territori doganor i Republikës së Kosovës.
Dogana rikujton se çdo person që transporton 10 mijë euro ose më shumë, apo kundërvlerën e tyre në valuta të tjera ose instrumente të negociueshme, ka detyrim ligjor t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore.
Sipas Doganës së Kosovës, kontrollet e tilla do të vazhdojnë me qëllim të zbatimit të legjislacionit, mbrojtjes së interesave financiare të vendit dhe parandalimit të shkeljeve në pikat kufitare.