DokuFest dhe Sunny Hill, festivalet që premtojnë shumë

Në emisionin "30 netë vere", organizatorët e festivalit "DokuFest" dhe "Sunny Hill" kanë shpalosur detaje që i bëjnë këto festivale edhe më unike

DokuFest rikthehet përsëri me temë "Si të mbijetojmë?"

Festivali i filmit “DokuFest” që mbahet në Prizren duke paraqitur filma të metrazhit të shkurtër, pas dy vjetësh është rikthyer me temën “Si të mbijetojmë?”

Në emisionin “30 netë vere” të RTV Dukagjini, producentja e këtij festivali, Alba Çakalli, ka thënë se temat e këtij festivali janë të fokusuara në mbijetesë, në krizën globale, për mbijetesë ndaj dhunës dhe luftërave.

Ajo ka shpalosur për RTV Dukagjini se përveç filmave për të rritur do të ketë edhe filma për fëmijë.

Alba Çakalli, organizatore e DokuFest

DokuKids do të shfaqen nga orët e mëngjesit deri në orën 12, ndërsa pastaj deri në orën 00:00 do të jenë filmat e tjerë për të rritur.

Çakalli ka bërë të ditur se në Dokufest në këtë vit do të jenë 13 salla për shfaqjen e filmave dhe tetë kategori garuese me 109 filma që do të garojnë prej 58 shteteve të ndryshme.

Ndërsa juria është një përzgjedhje që vjen nga bota e filmit dhe artit, ku në fund shpallin çmimin fitues për filmin më të mirë.

Qëllimi i festivalit është përafrimi i të gjitha moshave, e për këtë Zana Arapi, koordinatore e këtij projekti, ka treguar për RTV Dukagjini filmat e animuar që do të shfaqen përgjatë festivalit.

Zana Arapi, koordinatore e DokuFest

Arapi ka thënë se nga 236 filma të animuar, 47 prej tyre janë përzgjedhur në mënyrë që kur të shfaqen të mos kenë shumë dialog, por të jenë sa më shumë të kuptueshëm për fëmijët.

Ndërsa, në një intervistë për emisionin “30 netë vere”, regjisor i DokuFest, Samir Karahoda, ka thënë se në çdo vit ka tema të ndryshme aktuale që janë brengosëse për shoqërinë e që trajtohen përmes filmave.

Samir Karahoda, regjisor i DokuFest në intervistë në emisionin “30 netë vere”

Ai ka thënë se lufta që po ndodh në Evropë dhe krizat që po na presin lidhen me mbijetesën, prandaj kjo është edhe fokusi i kësaj teme “Si të mbijetojmë?”.

Ai ka treguar se përveç filmave në DokuKids, për fëmijët do të ketë edhe katër punëtori në mënyrë që të kenë aktivitete gjithëpërfshirëse.

Ai ka shtuar se fëmijët do të kenë transportin e siguruar.

Po ashtu, Karahoda ka bërë të ditur se filmi i cili do të hapë festivalin për të rinj do të jetë “Fire of Love” që rrëfen tregimet e një çifti me një romancë të treguar në një formë tjetër.

Samir Karahoda, regjisor i DokuFest në intervistë në emisionin “30 netë vere”

Po ashtu, DokuFest do të ketë një program special me 24 filma të shkurtër që kanë të bëjnë me futbollin, filma këta që sipas tij e tregojnë prapavijën e futbollit.

Ai ka thënë ndër të tjera që përzgjedhja e filmave garues është e vështirë.

“Kemi ekipe të ndara për kategori që i shikojnë ato, merr kohë të gjatë, sepse duhet të bëhen kompromise me vetveten dhe anëtarët e tjerë të ekipit sepse ka shumë filma të mirë”, ka thënë Karahoda.

Sipas tij, ndodh që vendimet gjithmonë nuk janë të duhura, por siç thotë ai qëllimi është të zgjidhen forma të ndryshme të rrëfimit dhe të zbulohen filma që janë unikë e me stil të veçantë të krijimit.

Festivali ‘Sunny Hill’

Ndërsa Fat Gjakova nga festivali ‘Sunny Hill”, ka thënë se ka shumë shtete të rajonit që nuk e kanë këtë festival.

Sipas tij, organizimi i një festivali të tillë ka vështirësi, sepse përmban artistë e këngëtarë me renome botërore të cilët duan një përkushtim e kualitet të mirëfilltë të të gjitha procedurave.

Fat Gjakova, Sunny Hill

Ai ka treguar se Sunny Hill nuk është vetëm koncert, sepse siç ka theksuar ai prej orës 12 janë të hapura dyert në mënyrë që ky festival të ketë eksperiencën e duhur.

“Performanca fillon prej orës 14:00 në chill zone, pastaj në main-stage ku fillojnë të këndojnë”, ka thënë Gjakova.

Ai ka thënë se ky festival është një mundësi e mirë për ata që duan që katër ditë rresht t’i shohin të preferuarit e tyre.

Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se ky festival, që pritet të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë, nuk do të ketë artistët e njëjtë si në Prishtinë.

“Artistët e njëjtë nuk do të jenë, por do të kenë renomenë e njëjtë dhe peshën e njëjtë”, ka deklaruar ai.

Fat Gjakova nga festivali Sunny Hill në një intervistë në emisionin “30 netë vere”

Sipas tij, edhe pse një festival mbahet në një vend tjetër, përsëri e ka përkushtimin dhe dedikimin e njëjtë.

 

 

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika