Gjykata Supreme e Kosovës e ka vërtetuar dënimin prej 13 vjetësh burgim ndaj Zoran Vukotiqit, i dënuar për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në arsyetimin e publikuar nga Supremja thuhet se në çështjen penale kundër të dënuarit Z.V., për shkak të veprës penale krime të luftës kundër popullsisë civile “nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (LPRSFJ), të kryer në bashkëkryerje me pjesëtarët tjerë të panjohur të njësitit të përmendur rezervist të policisë serbe dhe persona tjerë të armatosur dhe të uniformuar, duke vendosur sipas kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit dhe të dënuarit, të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special PS.nr.28/2022 dhe kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special APS.nr.50/2022, në seancën e kolegjit të Gjykatës Supreme, të mbajtur me datë 27 shtator 2023, këto kërkesa janë refuzuar si të pabazuara”.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kanë paraqitur mbrojtësi i të dënuarit Z.V., avokati Nebojsha Vlajeviq, për shkak të shkeljeve esenciale
të dispozitave të procedurës penale dhe të shkeljes së ligjit penal, me propozim që Gjykata Supreme e Kosovës, ta aprovojë kërkesën si të bazuar dhe të nxjerrë aktgjykim me të cilin do të ndryshojë aktgjykimet e kundërshtuara, ashtu që të dënuarin ta lirojë nga akuza ose aktgjykimet t’i anulojë dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.

Tutje, thuhet se i dënuari Z.V., për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe të shkeljes së ligjit penal, me propozim që Gjykata Supreme e Kosovës, ta aprovojë kërkesën si të bazuar, dhe të nxjerrë aktgjykim me të cilin do të ndryshojë aktgjykimet e kundërshtuara, ashtu që të dënuarin ta lirojë nga akuza ose aktgjykimet t’i anulojë dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.

“Prokurori i Shtetit të Kosovës në Prishtinë, me shkresat KMLP.II.nr.250/2023 të datave
22.08.2023, 01.09.2023, ka propozuar që kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë e të dënuarit dhe mbrojtësit të dënuarit të refuzohen si të pabazuara”.

QKRMT-ja ka mirëpritur vendimin e fundit nga Gjykata Supreme e Kosovës, ku vërtetohet Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, me të cilin Zoran Vukotiq ishte dënuar me 13 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar Zoran Vukotic me 10 vjet burgim, ndërsa pas ankesës, Gjykata e Apelit e kishte rritur dënimin në 13 vjet burgim. Mbrojta e të akuzuarit kishte paraqitur kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, dhe Gjykata Supreme e refuzoj këtë kërkesë dhe përfundimisht e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit me të cilin Zoran Vukotic ishte dënuar me 13 vjet burgim. Kjo shënon përfundimin e epilogut të këtij rasti dhe tani kemi të mbijetuarën e parë e cila me këmbëngulësinë e saj dhe mbështetjen e parreshtur të QKRMT-së gjatë gjithë procesit, triumfoi në të gjitha nivelet e gjykatave”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, QKRMT-ja vazhdon t’i mbështesë dhe i inkurajon të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës që të kërkojnë drejtësi.

Më poshtë dokumenti i plotë:

Pml.nr.415-2023%20(1).pdf