Një dokument i emërtuar “Top Secret 2”, i gjetur në telefonin e Fatmir Shehollit, është një prej provave që Prokuroria Speciale e Kosovës e ka përfshirë në aktakuzën ndaj tij për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Sipas aktakuzës, dokumenti është gjetur gjatë analizimit të telefonit celular Apple iPhone të sekuestruar nga Sheholli. Në telefon janë identifikuar gjithsej 20 mijë e 914 fotografi dhe imazhe, ndërsa njëra prej tyre, me mbishkrimin “Top sekret 2”, përmban tekst në gjuhën serbe dhe paraqet, sipas Prokurorisë, përmbajtje konfidenciale.
Në dokument përshkruhet një plan që, sipas përkthimit të administruar nga Prokuroria, parashihte investimin e fondeve në ndërtimin e xhamive në Kosovë.
Në të thuhet se xhamitë duhej të ndërtoheshin në vende të dukshme, si pranë autostradave, shkollave dhe qendrave tregtare, ndërsa në fshatra të mëdha parashihej dyfishimi ose trefishimi i numrit të tyre.
Dokumenti përmend gjithashtu zgjerimin e shkollave islame dhe bartjen e fëmijëve dhe të rriturve nga zona të ndryshme të Kosovës drejt vendeve ku, sipas dokumentit, feja do të kishte rëndësi më të madhe se përkatësia kombëtare.
Në tekst përmenden edhe Mitrovica, Vushtrria, Hani i Elezit, Kaçaniku, Dragashi dhe Prizreni.
Më tej, dokumenti pretendon se persona nga Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Sanxhaku, përfshirë komunitete rome, do të përfshiheshin në këtë aktivitet.
Një pjesë tjetër e dokumentit pretendon se udhëheqës të bashkësive islame në Serbi, Maqedoni, Bosnje dhe Kosovë ishin “nën kontroll” dhe se përmes tyre synohej përfshirja e personave me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë.
Dokumenti shkon edhe më tej, duke pretenduar se përmes kësaj strategjie synohej krijimi i një atmosfere në Kosovë ku qytetarët do të ndiheshin sikur po jetonin në një shtet të huaj, me qëllim që një pjesë e të rinjve të largoheshin nga vendi dhe një pjesë tjetër të orientoheshin drejt fesë islame.
Në dokument përdoret edhe pretendimi se, pas 20 vitesh, “Kosova do të duket si Kandahar”, me synimin që fuqitë perëndimore të ndryshonin qëndrimin ndaj Kosovës dhe të mbështesnin kthimin e saj nën juridiksionin e Serbisë.
Sipas aktakuzës, dokumenti përmban edhe pretendime për një skenar të migrimit të shqiptarëve drejt Turqisë dhe për përfshirjen e udhëheqësve fetarë në këtë proces.
Sheholli ia dërgoi dokumentin një personi në gusht 2025
Prokuroria thotë se dokumenti nuk ishte vetëm i ruajtur në telefonin e Shehollit.
Më 5 gusht 2025, sipas aktakuzës, Sheholli ia kishte dërguar personit të identifikuar si Viktor Makedonija dokumentin “Top Secret 2”, i cili kishte edhe shënimin “CONFIDENTIAL”.
Sipas vlerësimit të Prokurorisë, përmbajtja e dokumentit paraqet një plan politik dhe strategjik që synon zgjerimin e ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon, përfshirjen e figurave me ndikim në sport, muzikë, media dhe politikë, si dhe krijimin e një narrative negative për Kosovën.
Prokuroria e interpreton dokumentin si një plan që synonte destabilizimin e Kosovës, dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare dhe krijimin e perceptimit të Kosovës si shoqëri e radikalizuar dhe ekstremiste.
Sipas aktakuzës, qëllimi afatgjatë i këtij skenari do të ishte krijimi i kushteve që vendet perëndimore të ndryshonin qëndrimin ndaj statusit të Kosovës dhe të hapej rruga për kthimin e saj nën juridiksionin e Serbisë.
Pikërisht për shkak të përmbajtjes së dokumentit dhe faktit që Sheholli e kishte pranuar dhe më pas shpërndarë atë, Prokuroria vlerëson se kjo dëshmi, në ndërlidhje me provat e tjera, tregon se veprimet e tij ishin në funksion të përcjelljes dhe realizimit të synimeve të BIA-s serbe.
Dokumenti “Top Secret 2” është pjesë e provave të administruara nga Prokuroria dhe pretendimet që përmban ai nuk paraqesin fakte të vërtetuara me aktgjykim të formës së prerë. Fatmir Sheholli po akuzohet për “Spiunazh” dhe “Shantazh”.