Donjeta Sadiku, vajza që i solli Kosovës medaljen botërore pas 42 viteve, në boks
Donjeta Sadiku, kampionia e vetme grua në sportin e boksit. E lindur dhe e rritur në Prishtinë, 21-vjeçarja i ka sjellur Kosovës medalje botërore dhe evropiane. E ftuar në emisionin “Moment”, në RTV Dukagjini, Sadiku ka treguar rrugëtimin e saj në këtë sport. “Ka qenë një rrugë e vështirë të garosh për senior dhe të […]
Donjeta Sadiku, kampionia e vetme grua në sportin e boksit. E lindur dhe e rritur në Prishtinë, 21-vjeçarja i ka sjellur Kosovës medalje botërore dhe evropiane.
E ftuar në emisionin “Moment”, në RTV Dukagjini, Sadiku ka treguar rrugëtimin e saj në këtë sport.
“Ka qenë një rrugë e vështirë të garosh për senior dhe të sigurosh dy medalje brenda pak muajsh, është shumë e vështirë, duke marrë parasysh që na mungojnë disa paisje dhe kushtet janë pak më të vështira por me vullnetin tonë kemi arrit me i sjell këto medalje”, ka theksuar boksierja.
Më tej ka shpalosur rreth stërvitjeve të saj dhe se si është pritur nga familjarët dhe shoqëria e saj përzgjedhja e këtij profesioni.
“Fillimi i ushtrimeve në boks ka qenë i vështirë për arsyje se femër dhe me u marrë me boks është koxha e vështirë në Kosovë për arsyje se kemi paragjykime të ndryshme por dita ditës kjo po përmirësohet dhe shumica e femrave kanë filluar të merren me boks”, ka shtuar ajo.
Ndërsa ka treguar se në fillimet e saja nuk ka pasur përkrahje dhe as sallë të përshtatshme për stërvitje.
“Para se me siguru medalje nuk kemi pasur përkrahje, kemi ushtruar në një sallë ku kemi qenë unë dhe trajnerja kurse pas disa muajsh na ka ofruar për me shfrytëzu sallën Klubi i Boksit “Dardanët” dhe më kanë ndihmuar shumë me përgatitjet”, është shprehur Sadiku.
Ndryshe, Donjeta Sadiku që nga mosha 8-vjeçare ka filluar të merret me boks ndërsa gara e saj e parë ka qenë në vitin 2015, në Kinë, ku edhe kishte fituar vendin e dytë në botë në sportin e boksit.















