Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas dorëheqjes së tre serbëve, të cilët po shërbenin në kuadër të Policisë së Kosovës.

Rohde në rrjetin social “X”, tha se një vend multietnik siç është Kosova, duhet të ketë një polici multientike që do t’i kryente detyrat pa u frikësuar nga askush.

“Jam plotësisht dakord: një vend multietnik kërkon një polici multietnike. Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës – pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin – duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikësime”, tha ai.

Për dorëheqjen e tre policëve të rinj serbë ka reaguar edhe ambasadori i ShbA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Ai, përmes një postimi në rrjetin social X, ka shkruar se është duke i ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit.

Sipas tij, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë pa frikësime.