Pas gjykatave, prokurorive, policisë e komunave, serbët kanë nisur të dorëhiqen edhe në institucionet e tjera.

Katër serbë që ushtronin pozitat e zyrtarëve të lartë komunal zgjedhor të KQZ-së, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, kanë dhënë dorëheqje gjatë së mërkurës.

Këtë e konfirmon edhe zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

“Mund të them që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta trajtoj këtë çështje në mbledhjen e radhës dhe natyrisht se mbledhja do të jetë publike dhe mediat mund të jenë prezente”, ka thënë, Valmir Elezi – Zëdhënës i KQZ-së.

Mbledhja e radhës e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku do të diskutohet për këtë çështje, pritet të mbahet gjatë kësaj jave.

E zyrtarët që kanë dhënë dorëheqje  janë Milosav Markoviq, Dushiqa Stojanoviq, Millosh Nedelkjoviq dhe Slobodan Dimitrijeviq.

Në komunat veriore, KQZ-ja pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve përgjatë javëve në vijim dhe Sadri Rrmoku, nga Instituti për Qeverisje Lokale, vlerëson se mund të ketë vështirësi organizative.

“Mendoj që ky është një proces i cili mund t’ia shkaktoj disa vështirësi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve në këto komuna. Megjithatë, KQZ-ja duhet ta shfrytëzoj nenin 69, pika 2, për të emëruar anëtarët e rinjë komunal të zgjedhjeve dhe për të vazhduar me procedurat e rregullta të organizimit të zgjedhjeve”, Sadri Rrmoku – Instituti për Qeverisje Lokale.

Sipas ligjit, Rrmoku tregon se zyrtarët e KQZ-së në veri mund të jenë edhe kosovar.

“Në fakt nuk përmendet decidivisht në ligj që domosdoshmërishtë kreu i KKZ-së të jetë i një komuniteti të caktuar, megjithatë ligji thotë se përfaqësimi në KKZ duhet t’i përfshijë të gjitha komunitetet që jetojnë në atë komunë”, ka theksuar Sadri Rrmoku – Instituti për Qeverisje Lokale.

Kryetarët Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut,  kanë dhënë së bashku dorëheqje në këtë mbledhje të organizuar gjatë vikendit të kaluar.

Presidentja ka takuar të martën kretarin e KQZ-së dhe njoftoi se së shpëjti do të nis konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve.