Dorëhiqet Krasniqi, pritet të pasohet nga Hamza në krye të PDK-së

Memli Krasniqi në një konferencë për media në selinë qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë, duke e cilësuar këtë vendim si “një hap reflektimi dhe përgjegjësie për krijimin e një momentumi të ri për PDK-në”.

Krasniqi ka falënderuar qytetarët e Kosovës, anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të Kosovës për përkrahjen dhe besimin e dhënë gjatë më shumë se dy dekadave të angazhimit politik, njofton Dukagjini.

“Në rini, njeriu nuk e di gjithmonë se çfarë do të bëhet – por shumëherë e di në çfarë do të besojë. Dhe unë, që nga rinia, e kam ditur se dua të besoj në Kosovën e ëndrrave të mia,” – tha ai.

Mes tjerash, Krasniqi theksoi se udhëtimi i tij politik ka qenë i lidhur ngushtë me PDK-në, që nga viti 2004 kur iu bashkua si aktivist i ri, deri në postin e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Teksa duke reflektuar për periudhën katërvjeçare të udhëheqjes së tij, Krasniqi vlerësoi se PDK është forcuar dhe rritur ndjeshëm në skenën politike, megjithatë theksoi se çdo organizatë e madhe politike ka nevojë për ripërtëritje.

“Një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes. Prandaj, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.”

Ai theksoi se ky vendim nuk lidhet me ndonjë zhvillim të fundit politik, por me nevojën për t’i dhënë partisë “një frymë të re dhe një mundësi të re për të ardhmen”.

“Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit. Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën. PDK është më shumë se një parti – është një amanet nga ata që luftuan për liri, për shtet dhe për dinjitet. Amaneti mbahet gjallë vetëm kur ne udhëheqim me shembull, me guxim dhe me përulësi. Kjo është detyra e liderit – të dijë jo vetëm si të qëndrojë mirë, por edhe si të largohet mirë.”

Në fund të fjalës së tij, ai njoftoi se ka thirrur Konventën e PDK-së për të hënën, më 17 nëntor, ku do të zgjidhet Kryetari i ri i partisë teksa ofroi mbështetjen tij të plotë për Bedri Hamzën si kryetar i ri teksa u shpreh se Hamza gëzon respekt të plotë nga të gjithë anëtarët e PDK-së.

“E di se ajo ditë do të jetë dëshmi e pjekurisë sonë politike, e demokracisë sonë të brendshme dhe e forcës sonë për të ecur përpara,” – deklaroi ai.

 

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika