1 dhjetori i vitit të ardhshëm, është afati i fundit që qytetarëve të Kosovës do t’u duhet një vizë për të udhëtuar në Evropë.

Kështu të paktën u bë e ditur nga drafti i ri i Presidencës Çeke i cili u është dorëzuar, që erdhi pas mosdakordimit të shteteve anëtare gjatë takimit të së enjtes.

Në tekstin e ri ky afat është shtyrë për një muaj pasi më parë afati ka qenë 1 nëntori.

“Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet vetëm nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se mё 1 dhjetor 2023”.

E, kritika të shumta në adresën e Bashkimi Evropian për këtë proces, ka shfaqur profesori universitar Afrim Hoti.

“Është qasje shumë joserioze, vendim i cili definitivisht po e humb edhe ashtu kredibilitetin e dëmtuar të Bashkimit Evropian, jo vetëm në Ballkan por sidomos edhe në rastin e Kosovës. Kjo jo vetëm që nuk paraqet vetëm shkelje të dinjitetit Kosovar, por edhe shkelje fundamentale të të drejtave të njeriut. Zhvillimet e fundit, të dërgojnë në argumentet që nuk është një fund i sigurt”, ka potencuar Hoti.

Në adresën e Qeverisë së Kosovës, Televizioni Dukagjini, ka dërguar pyetje në lidhje me qëndrimin e tyre sa i përket zhvillimeve në Bruksel.

Por, të mbyllur për media kanë qëndruar kabineti i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Ndërkohë, Profesori Seb Bytyqi, thotë se Kosova nuk ka çka të bëjë tutje në lidhje me temë, porse e sheh si një vendim politik të disa shteteve.

“Kjo është më shumë një rezistencë politike nga disa shtete që është e paqëndrueshme ne këtë kohë, dhe ka presion nga shtetet tjera që të arrihet një vendim dhe në këtë rrafsh e shoh se do të ketë një vendim, por impelmentimi i tij do të jetë i vonshëm”, ka theksuar Bytyqi.

Diskutimi i së enjtes në grupin punues ishte i dyti me radhë për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Edhe pse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, qytetarëve të saj i duhet një vizë për të udhëtuar në Evropë.