Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kishte publikuar dy njoftime, më 19.07.2024 dhe më 18.09.2024, në të cilat kërkonte palët e interesuara të aplikojnë për kontratën për funksionalizmin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Pesë ditë pasi ishte publikuar thirrja e dytë publike në ueb-faqe të AUV, kompania “LIP KS & IT” SH.P.K. ishte regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Dosja e regjistrimit zbulon që fillimisht themelues të kësaj kompanie kishin qenë tre aksionarë: Naser Maloku, si drejtor menaxhues dhe dy kompani të tjera, “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të Zi dhe “LIP ITALIA 2000” S.P.S. me adresë në Rosta të Italisë.
Sipas të dhënave që ka siguruar KALLXO.com, pronar i kompanisë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të Zi është një kompani tjetër me emër “MR & Co doo” me seli në Beograd të Serbisë, e cila është në pronësi të shtetasit të Serbisë, Muamer Ragipoviq.
Muamer Ragipoviq figuron si drejtor edhe në kompaninë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të Zi që kishte aksione në kompaninë kosovare që e nënshkroi kontratën me ministrin e Bujqësisë.
Kompania “MR & MNE” D.O.O. me pronar Muamer Ragipoviq ishte tërhequr nga biznesi që fitoi kontratën nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 20.02.2025, 1 muaj e 10 ditë pasi ishte nënshkruar kontrata për fabrikën.
Portali ka provuar të marrë një përgjigje nga Muamer Ragipoviq, por ai nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara e as nuk është përgjigjur në telefon.
Vlera e aksioneve të kompanisë “MR & MNE” D.O.O. ishte 30% në kompaninë e regjistruar në Kosovë “LIP KS & IT” ose në vlerë prej 3,000 eurove. Aksionet ishin bartur te Naser Maloku dhe kompania “ARCHES BAU” Sh.P.K., kompani e cila më vonë do të bashkohej në pronësi të kompanisë që kishte fituar kontratën nga Minsitria e Bujqësisë.
Sipas të dhënave publike, kompania “MR & MNE” D.O.O. ka vetëm një punëtor në Podgoricë, ndërsa ka katër punëtorë në “MR & Co doo” në Beograd.
ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka mohuar të ketë qenë në dijeni për pronësinë e kompanive që e kishin fituar kontratën.
“Unë me emra të përveçshëm nuk i di, e di që është një konsorcium, kompania kryesore është një kompani italiane, unë e kam nënshkruar kontratën si pjesë e respektimit të një vendimi qeveritar” – ka thënë Faton Peci.
“Në asnjë fazë, ministri nuk merr pjesë, në fund ministri e nënshkruan”, ka deklaruar ai.
Ai ka komentuar edhe gjetjet e hulumtimit mbi njërën prej kompanive me bazë në Serbi.
Jo, nuk e njoh (Muamer Ragipoviqin), jo vetëm atë por asnjë person që përfiton grante e subvencione. Shumë mirë që keni bërë gazetari hulumtuese, por nuk i takon ministrit me u marrë me emra të përveçëm”, ka thënë ai.
“Nuk i njoh as komisionin vlerësues, nuk merrem me emra të përveçëm”, ka deklaruar ministri Peci.
KALLXO.com që nga 04.04.2025 ka dërguar kërkesa në Agjencinë e Veterenarisë dhe Ushqimit për të kërkuar qasje në dokumente dhe informata rreth fabrikës e cila nuk ishte funksionaluzar për një kohë të gjatë.
Portali ka gjetur se procesi për dhënien në shfrytëzim të kësaj fabrike kishte filluar më 19.07.2024 nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Pesë muaj më vonë, më 09.01.2025, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të aprovohet dhënia në shfrytëzim e tokës dhe fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Një ditë pas, më 10.01.2025, Faton Peci, në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kishte nënshkruar kontratën me titull “Funksionalizimi objektit për përpunimin e nënprodukteve shtazore”.
Fitues i kontratës ishte shpallur “LIP KS & IT” Sh.P.K., të cilës i është dhënë e drejta për operim për 20 vite, duke u llogaritur viti 2024 deri në vitin 2044, me mundësi vazhdimi.
Sipas kontratës, kompania obligohet të paguajë një qira prej 30 mijë euro brenda vitit, që i bie nga 2 mijë e 500 euro çdo muaj.
Neni 4 i kontratës parasheh edhe subvencionimin e kompanisë për çdo kilogram të grumbulluar dhe përpunuar.
“Subvencioni për çdo ton të grumbulluar do të jetë në shumën prej 0.16 cent për kilogram (1 kg).”- thuhet në kontratë.
Fabrika për përpunimin e nënprodukteve shtazore kishte nisur të ndërtohet nëntë vite më parë.
Vëllai i Besnik Bislimit punonte te biznesi i familjes Maloku
Hulumtimi zbulon se vëllai i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, Florin Bislimi, kishte punuar për një kompani që ishte në pronësi të kompanisë “Fitorja”, që është në pronësi të Tahir Malokut, babait të aksionarit të kompanisë fituese të kontratës (Naser Malokut) të nënshkruar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Florin Bislimi kishte punuar që nga viti 2008 në kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”. Aksionar kryesor i kësaj kompanie ishte biznesi i Tahir Malokut – “Fitorja”.
Florin dhe Besnik Bislimi e kanë mohuar përfshirjen e tyre në kontratën për qiranë e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas me kompaninë “LIP KS & IT”, në të cilën ka aksione Naser Maloku.
Ministri Faton Peci ka deklaruar se dy herë ishte ftuar në zyrën e zv.kryeministrit Besnik Bislimi për të diskutuar për funksionalizimin e kësaj fabrike, por nga zyra e Bislimit kanë thënë se takimet kanë qenë në kuadër të obligimeve të zëvendëskryeministrit për të funksionalizuar projektet e financuara me fondet e BE-së.
‘Zyra e Zëvendëskryeministrit e as vetë zëvendëskryeministri i parë nuk ka detyrë apo obligim të kërkojë informacion e as është interesuar të ketë diçka të tillë për numrin e aplikantëve, pronësinë e aplikantëve, mënyrën e përcaktimit të fituesve dhe modalitetin e funksionalizimit. As e njeh pronarin fitues e as i intereson se kush është fitues. Nuk ka patur asnjë përfshirje përveç asaj që i takon si udhëheqës i procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe monitorues i aktiviteteve përkatëse të cilat u sqaruan edhe më lart’”, thuhet në një përgjigje me shkrim të zyrës së zv.kryeministrit Besnik Bislimi.
Në anën tjetër, edhe vëllai i Besnik Bislimit e ka mohuar që është në dijeni për kontratën e Ministrisë, të cilën e fitoi kompania “LIP KS & IT”.
“Çfarë kontrate se s’po kuptoj, jo, jo, nuk jam në dijeni, Naseri na ka hupë punën, e ka mshelë kompaninë e çu në likuidim. Në ‘Kosova e Re’ punoj prej 2008-tës. S’ka lidhje asgjë kjo me mua, unë po ta hjeki atë”, tha Florin Bislimi përmes telefonit.
“Po mos u merr se s’ka kurrfarë lidhje me atë, unë po ta heki atë, hiç kurrfarë lidhje, ama bash hiç. S’ka bre nevojë, se s’ka kurrfarë lidhje a je tu kuptu. Çfarë familje, këta në kanë mbyllë kompaninë, këta ne i urrejmë si persona që kemi punuar… A po merr vesh, “Kosova e Re” e ka marrë BQK-ja, e kanë mshelë edhe hajt leje këtë punë pash një Zot… Hajt tung, tung!” – ka thënë Florin Bislimi.
“Kallxo Përnime” ka provuar të kontaktojë edhe me Tahir dhe Naser Malokun, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërgura e as në thirrjet telefonike.
Përgjigje nuk ka kthyer as biznesi që tani është pjesë e kontratës për fabrikën në Drenas, “Arches Bau”. /Kallxo.com