Dosja finale në Hagë: Mishetiq kërkon pafajësinë e Thaçit nga të gjitha akuzat
Luka Mishetiq, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dorëzuar para Gjykatës Speciale në Hagë një dosje përfundimtare ku kërkohet që Thaçi të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij. Si faktorë lehtësues, Mishetiq ka përmendur kontributin e Thaçit në themelimin e Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale […]
Luka Mishetiq, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dorëzuar para Gjykatës Speciale në Hagë një dosje përfundimtare ku kërkohet që Thaçi të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.
Si faktorë lehtësues, Mishetiq ka përmendur kontributin e Thaçit në themelimin e Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale në Kosovë, duke përfaqësuar interesin e shtetit për të pastruar imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për të treguar se nuk kishte asgjë për të fshehur, njofton Dukagjini.
“Trupit Gjykues i kërkohet ta shpallë THAÇI-n të pafajshëm për të gjitha pikat e Aktakuzës dhe të urdhërojë lirimin e tij të menjëhershëm”, thuhet në konkluzionin e dokumentit.
Ndër faktorët e tjerë lehtësues përmendet edhe dorëheqja e tij nga posti i Presidentit të Kosovës më 5 nëntor 2020, si dhe dorëzimi vullnetar tek autoritetet e Gjykatës Speciale.
Avokati thekson se Thaçi ka bashkëpunuar plotësisht me gjykatën dhe ka dhënë intervista të shumta për Prokurorinë Speciale, edhe gjatë kohës kur ishte në detyrë.
Mishetiq thekson se Thaçi ka bërë thirrje për bashkëjetesë paqësore ndërmjet komuniteteve dhe ka kërkuar nga shqiptarët që të mos hakmerren ndaj serbëve pas përfundimit të luftës në vitin 1999 dhe se dëshmitarë të ndryshëm në gjykim kanë vlerësuar se ai nuk ishte person i prirur për dhunë dhe se kishte një rol konstruktiv në periudhën pas luftës.
Në fund, avokati nënvizon edhe sjelljen e Thaçit gjatë lirimeve të përkohshme, duke theksuar se ai ka respektuar të gjitha urdhrat e gjykatës dhe ka treguar sjellje shembullore.
Në përfundim, mbrojtja kërkon nga paneli gjykues që të lirojë Hashim Thaçin nga të gjitha akuzat dhe të urdhërojë lirimin e tij të menjëhershëm.
“Rezultati i vetëm i drejtë i këtij gjykimi është shpallja e pafajësisë së THAÇI-t për të gjitha pikat e aktakuzës”, ka thënë Mishetiq në këtë dokument.
Dokumentin e plotë mund ta gjeni KËTU.















