Në një rajon ku shtete dhe aktorë politikë angazhohen hapur për ta minuar orientimin dhe arkitekturën e sigurisë, kontratat lobuese, e sidomos konsulenca nga figura të lidhura me Presidentin Trump, janë elementë strategjikë që shfrytëzohen për operacione hibride të ndikimit.
Angazhimi i Chris LaCivita dhe James Blair në shërbim të Republikës Serbe të Bosnjë-Hercegovinës ka nxitur shqetësime lidhur me ndikimin e mundshëm në politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor. Presidenti Trump ka deklaruar se ata janë këshilltarë të jashtëm dhe “nuk ka parë konflikt interesi” (Reuters, 07.10.2026), mirëpo aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka ngritur akuza se angazhimi i tyre po i shërben agjendës destabilizuese të Rusisë dhe figurave të afërta me Putinin (Dukagjini, 08.10.2026).
Në një postim në X, ajo i ka prezantuar në një skemë si “lidhje të Dodikut në SHBA dhe rrjetin e Moskës”, duke specifikuar Aleksandër Vulinin, Aleksandër Vuçiqin dhe Sergei Lavrovin. Ndonëse pretendimet për një operacion të koordinuar rus mbetet të verifikohen, debati ka nxjerrë në pah të vërtetën e instrumentalizimit të konsulencës së kontraktuar për të krijuar përshtypjen e “mbështetjes nga administrata amerikane”.
Sa më shumë mjegull në raportin ndërmjet angazhimit privat të konsulentëve dhe qëndrimit zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aq më shumë ndikim dhe manipulim të përceptimit publik, në funksion të normalizimit dhe legjitimimit të agjendës revizioniste të Serbisë dhe Republikës Serbe.
Pra, çështja s’duhet të kufizohet nëse ekziston apo jo konflikt interesi, por nëse kontraktimi mund të përdoret në funksion të manipulimit për ndryshimin e qëndrimit amerikan lidhur me Ballkanin Perëndimor. Promovimi i afërsisë së Dodikut me SHBA-të nuk i shërben vetëm përmirësimit të imazhit ndërkombëtar, por edhe një narrative mashtruese, sipas të cilës, qëllimet e tij politike nuk bien ndesh me interesat amerikane.
Për këtë arsye, Kokalari e ka nisur reagimin me deklaratën e një anëtari nga ekipi i LaCivitas për gazetaren Kellie Meyer se “Republika Serbe mbështet konservatorët dhe qasjen ‘America First’”, duke e quajtur gënjeshtër. Prandaj, vazhdon ajo, lidhjet e këtyre figurave me rrjetin socialist dhe komunist SOVINTERN, për të cilin thotë se është themeluar në Moskë në prill 2026, janë në kundërshtim me vlerat e konservatorëve amerikanë.
Sido që të jetë e vërteta, afërisa me SHBA-të në Ballkan përbën një burim të rëndësishëm kredibiliteti dhe pikërisht kjo e shpjegon dredhinë serbe për “pastrimin e legjitimitetit”. Të njëjtën metodë përdori edhe Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (23.09.2026), duke e “akuzuar” Presidentin Clinton për “padrejtësi” ndaj Serbisë dhe duke i bërë lajka Presidentit Trump si shpresë për “korrigjimin” e saj.
Pra, “viktimizimi i përhershëm” është platforma serbe që kamuflon operacionet hibride të politikës revizioniste. Në këtë pikë ajo bëhet bashkë me interesat ruse, për ta dobësuar orientimin dhe strukturat perëndimore të Ballkanit dhe për ta legjitimuar projektin ekspansionit të “Botës Serbe”.
Prandaj, angazhimi i konsulentëve amerikanë nga Republika Serbe meriton vëmendje të veçantë në analizën e kërcënimeve hibride.