Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka njoftuar se nxënësit e shkollave të Prishtinës kanë shkruar letra dhe kanë pikturuar vizatime për t’i dërguar në Hagë te ish-krerët e UÇK-së.

Sipas saj, në disa prej shkollave të Prishtinës fëmijët kanë bërë punime të ndryshme për UÇK-në, teksa ka shtuar se disa nga punimet që kanë bërë fëmijët do t’u dërgohen ish-liderëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Më poshtë mund t’i lexoni disa nga shkrimet që nxënësit u kanë shkruar ish-krerëve të UÇK-së.

“Mrekullive të botës duhet ti shtohet edhe lufta çlirimtare e UÇK-së” shkruan Leka nga shkolla Naim Frashëri.

“Unë ende kam besim te njerëzimi sepse ende kam besim tek ju. Na keni treguar herë pas here se ne mund t’ju besojmë. Andaj, ju jeni heronjtë tanë!” thotë Erza, e cila ka lindur në vitin që është shpallur pavarësia.

“Ndoshta sot je me thinja, por ne do të kujtojmë gjithmonë për zgjuarsinë, trimërinë dhe sakrificën që e ke bërë për fëmijët e Kosovës” thotë letra tjetër.

“Shpresojmë që me këto letra do të mund të përçojmë mirënjohjen e thellë që e kemi për UÇK-në dhe vlerat e saj”, ka përfunduar drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati.