Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të shtunën e 24 shtatorit, ka mbajtur Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës.

Pjesëmarrës në këtë konventë ishin kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe zyrtare e zyrtarë nga të gjitha strukturat e PDK-së në nivel të Kosovës.

Ndërsa, pjesëmarrëse në Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës ka qenë edhe drejtoresha e NDI-së, Nancy Soderberg, e cila ka shtuar se PDK është duke vendosur një standard të ri në Kosovë.

“Kosova ka pasur mangësi në përfshirjen e grave në qeverisje. Thënë thjesht, suksesi i demokracisë së Kosovës varet nga pjesëmarrja e grave. Prandaj kjo konventë ka shumë rëndësi”.

”Përfshirja e grave në politikë, për të bërë të dëgjohet i secilit qytetar, është shumë me rëndësi. Gratë dhe burrat duhet të bëjnë më shumë për të fuqizuar gruan. Nuk duhet të jetë 30 për qind, as 40 për qind, por 50 me 50 për qind. Prandaj, edhe motoja juaj, ‘Bashkë! 50 me 50’ është kaq e rëndësishme sepse po vëni një standard të ri për të gjithë në Kosovë”, ka thënë drejtoresha NDI-së Soderberg.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, në Konventën Programore të Gruas Demokratike ka treguar pse është pjesë e kësaj partie. Ajo tha se PDK është një parti që ka guxim.

“Në PDK nuk ekziston një tavolinë për burra dhe një tavolinë për gra. Dhe ne, vetëm bashkë, në një tavolinë, mund të marrim vendime të drejta të cilat do ta çojnë Kosovën në shekullin e ri”, ka thënë Çitaku.

Ndërsa, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se “E kam të nevojshme të them se në këtë konventë kam zgjedhur të flasim për probleme që i dimë, të cilat janë probleme kardinale, sepse parabarazia gjinore, mosavancimi në punë, kufizimi i pjesëmarrjes së gruas në fusha të ndryshme, trajtimi i tyre si gra në institucione dhe ndermarrje është problem real ne Kosovë”.

“Prandaj, këtë konventë e shoh të rëndësishme për të gjitha gratë e Kosoves”, shtoi ai.

Sipas tij, nga periudha kur ka marrë postin e kryetarit të PDK-së, ishte rritur dhe pjesëmarrja e grave në qeverisje.

“Nga 9 drejtori komunale, 5 prej tyre drejtohen nga koleget tona. Jemi partia me më së shumti ansambleiste”.

I pari i PDK-së është shprehur se kjo nuk është e mjaftueshme sepse rrugëtimi e partisë së tij nuk është i suksesshëm pa gratë në çdo aspekt. “50 për qind me 50 për qind është formula jonë, misioni jonë dhe qëllimi ynë”.

Memli Krasniqi ka shtuar se do të realizojnë “objektin fisnik” 50 për qind me 50 për qind deri në vitin 2025.