Drejtori i BKS-së: Kosova teknikisht gati për Kartonin e Gjelbër
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, ka bërë të ditur se tashmë Kosova i ka përfunduar të gjitha kushtet teknike, për t’u bërë pjesë e Kartonit të Gjelbër. Mazreku, i cili ishte i fituar për bashkëbisedim në emisionin “Magazinë” të Radio Dukagjinit, me gazetarët Lirik Sylmetaj dhe Blerina Neziri, theksoi se janë duke […]
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, ka bërë të ditur se tashmë Kosova i ka përfunduar të gjitha kushtet teknike, për t’u bërë pjesë e Kartonit të Gjelbër.
Mazreku, i cili ishte i fituar për bashkëbisedim në emisionin “Magazinë” të Radio Dukagjinit, me gazetarët Lirik Sylmetaj dhe Blerina Neziri, theksoi se janë duke punuar për një zgjidhje që nuk do ta përfshinte politikën.
Ai ka bërë të ditur se punët e brendshme veçse kanë përfunduar dhe nuk ka më kushte të tjera për t’u plotësuar.
“Duhet të punohet në dy drejtime, spektri politik është duke punuar, ne po mundohemi ta gjejmë një zgjidhje që nuk e përfshin politikën. Dëshirojmë ta gjejmë një shtet mik i cili është më i kapshëm për të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit të Byrove, ta çojë atë marrëveshje në të gjitha filtrat e Këshillit të Byrove. Tani më nuk kemi punë të brendshme, nuk kemi parakushte për të plotësuar”, ka thënë ai.
I pyetur për çmimin apo kostot e sigurimit, ai ka thënë se është vështirë të jepet një çmim për shkak se, sipas tij, nuk ka çmime fikse.
Ai ka theksuar se Kosova nuk është në pozicion që të vendosë kushte apo standarde. Sipas tij, Kosova duhet të përshtatet me standardet e caktuara që mund të bëhet zgjidhje.
“Nuk mundemi të flasim me çmim sepse nuk ka çmim fiks. Disa shtete i kanë inkorporuar pjesën e kartonit të gjelbër te sigurimi bazë. Mali i Zi, dikun 22 deri 25 euro pagun në mënyrë vjetore, por ata sigurimin bazë e kanë më shtrenjtë”, ka thënë ai.
Problemi kryesor, sipas tij, janë shtetet mosnjohëse. Mazreku ka thënë se me këto shtete duhet të ketë qasje të veçantë. Sipas tij, atyre duhet t’u bëhet e ditur se me njohjen apo marrëveshjen për sigurime, nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Disa nga kushtet teknike që Kosova i ka plotësuar, sipas Mazrekut, është depolitizimi, nënshkrimi i marrëveshjeve me vendet fqinje dhe ekspertiza në trajtimin dhe pagesën e dëmeve.















