Drejtori i Neurokirurgjisë: Tre muaj lista e pritjes në klinikë, duhet një sallë e dytë operacioni
Drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Besnik Elshani, ka bërë thirrje për krijimin e një salle operative të dytë për të zvogëluar listën e pacientëve të pritjes për operacione. Sipas tij, aktualisht, lista e pritjes është deri në tre muaj, por kjo do të zvogëlohej dramatikisht nëse klinika do të kishte dy salla operative. Pacientët me […]
Drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Besnik Elshani, ka bërë thirrje për krijimin e një salle operative të dytë për të zvogëluar listën e pacientëve të pritjes për operacione.
Sipas tij, aktualisht, lista e pritjes është deri në tre muaj, por kjo do të zvogëlohej dramatikisht nëse klinika do të kishte dy salla operative.
Pacientët me hernia diskale, të cilët nuk kanë nevojë për ndërhyrje urgjente kirurgjikale, aktualisht janë të vendosur në këtë listë të pritjes.
Elshani ka thënë se për të zvogëluar këtë listë, është e nevojshme që operacionet e tjera traumatike të zhvillohen në një ritëm më të shpejtë.
Ai beson se me një sallë operative të dytë, kjo listë mund të eleminohet në mënyrë efikase.
“Aktualisht kemi, gjithsesi që kemi. Është fjala për hernie diskale (pa ndërhyrje kirurgjikale), pacientët fatkeqësisht presin dhe kjo listë varet gjithsesi nga numri i operacioneve tjera traumatike, të cilat zhvillohen në kuadër të muajve. Prandaj, kjo listë kishte me u zhduk fare në momentin kur do të kishim dy salla operative”, ka deklaruar Elashani për EO.
Elshani gjithashtu ka theksuar se për pacientët me rrezik për jetën, operacionet kryhen menjëherë.
Megjithatë, sipas tij, klinika duhet të ketë dy salla operative për të ofruar kujdestarinë e duhur.
Në lidhje me stafin shëndetësor, Klinika e Neurokirurgjisë, sipas Elshanit, është e përgatitur mirë, me tetë neurokirurgë dhe personel të specializuar.
Ai ka thënë se ata janë të organizuar mirë dhe ofrojnë kujdestari 24 orë në ditë.
“Stafi në Neurokirurgji është relativisht mirë i përgatitur. Jemi tetë neurokirurgë, kam edhe punëtorë tjerë specialistë dhe gjashtë specializantë, të cilët janë në vitin e katërt të specializimit të tyre. Jemi të organizuar mirë, jemi ndër klinikat që funksionojmë shumë mirë në kuptimin e kujdestarive, pra gjithnjë shërbimi në Klinikën e Neurokirurgjisë është i përmbushur me 24 orë. Edhe sfera tjetër e punëtorëve të infermierisë është e angazhuar si në repart ashtu edhe në salla operative”, është shprehur Elshani.
Ndër të tjera, Elshani ka thënë se stafi i infermierisë është i angazhuar në repartet dhe sallat operative, ndërsa instrumentarët janë të gatshëm për intervenime në raste të traumave nga qendrat regjionale dhe rajoni i Prishtinës.















