Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, me bashkëpunëtorë është duke marrë pjesë në konferencën e cila po mbahet në kuadër të IACP-it (International Association of Chiefs of Police -Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë), në San Diego të Kalifornisë.

Në këtë konferencë, pjesëmarrësit kryesorë përfshijnë përfaqësues të lartë të policive nga të gjitha vendet e botës.

Krahas kësaj konference, delegacioni kosovar është takuar me personalitete të ndryshme, duke përfshirë edhe drejtoreshën ekzekutive të EUROPOL-it, Catherine De Bolle, drejtor i DOJ-ICITAP Gregory Ducot dhe Samuel Pineda, drejtor i Zyrës së Programeve, Departamenti i Shtetit- Byroja Kundër Terrorizmit si dhe me udhëheqës të policive të shumë vendeve botërore.

Në komunikatën për media nga Policia e Kosovës thuhet se në këto takime u diskutuan tema të ndryshme, si luftimi i krimit të organizuar transnacional si dhe i llojeve të tjera të krimit, përfshirë edhe luftën e pakompromis kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.

PK-ja ka bërë të ditur se pjesëmarrja e delegacionit zyrtar nga Policia e Kosovës me përfaqësues të organizatave të ndryshme policore, në këtë konferencë të nivelit më të lartë në fushën e sigurisë mundëson shkëmbimin e përvojave dhe të eksperiencave policore, trajtimin e sfidave dhe të fenomeneve me të cilat ballafaqohen institucionet e sigurisë.

Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë (IACP) është shoqata profesionale më e madhe dhe më me ndikim në botë për udhëheqësit/ liderët e policisë dhe është e përkushtuar për të avancuar sigurinë e komuniteteve në mbarë botën.

“Pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Policia u mundësua nga ICITAP – Ambasada Amerikane”, përfundon komunikata e Policisë së Kosovës.

Foto: Policia e Kosoves