Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë (REL), i ka mohuar zërat se Policia ka pasur marrëveshje me terroristët serbë që të largoheshin nga manastiri i Banjskës.

Hoxha tha se Policia ka tentuar disa herë të komunikojë me terroristët që të dorëzohen por ata nuk kanë pranuar, madje janë përgjigjur me gjuajtje armësh.

Po ashtu sipas tij, Policia ka komunikuar me mbikëqyrësin e Manastirit të Banjskës, At Danilon, duke kërkuar që ai t’i bindë terroristët të dorëzoheshin, por edhe kjo ka dështuar.

Përgjigja e plotë e Drejtorit të Policisë për REL:

Jo, asnjë marrëveshje, asnjë komunikim me qëllim të krijimit të lirimit a krijimit të korridorit për ikje apo depërtim të këtij grupi nga fshati i Banjskë, nga territori i Kosovës, nuk ka pasur.

As tentativë të tillë nuk ka pasur.

Do të thotë, ajo çfarë ka ndodhur [është se] ne kemi komunikuar disa herë duke iu kërkuar atyre që të dorëzohen tek autoritetet e Kosovës, ata nuk kanë dëgjuar dhe vazhdimisht kanë gjuajtur disa herë, do të thotë Policia e Kosovës ka bërë tentativa për të komunikuar me qëllim që ata të dorëzohen, mirëpo kërkesat tona nuk janë pranuar dhe përgjigjja e tyre ka qenë qitjet me armë të zjarrit.

Tjetra, ne kemi komunikuar po ashtu edhe me mbikëqyrësin e Manastirit të Banjskës, At Danilon [ashtu më duket e ka emrin], edhe përmes tij kemi kërkuar që të komunikojë me ata që kanë qenë brenda, në mënyrë që ata të dorëzohen. Mirëpo, nuk ka funksionuar ky lloj komunikimi.

Ndërsa, komunikim për t’i krijuar korridor të lirë dikujt që ka vrarë kolegët tanë – as nuk ka pasur as nuk do të mund të kishte – sepse ne kemi parime mbi të cilat funksionojmë, punojmë, jemi të ngritur si polici. Dhe, nuk lejojmë që dikush që vret policin apo qytetarin e Kosovës, ne t’i krijojmë mundësi të lirë që ai të largohet nga territori, pa u përgjigjur për veprën që e ka kryer.

Do të thotë, pse ata kanë arritur të largohen nga manastiri dhe pjesa e Banjskës, është se terreni është shumë i thyer.

 Radio Evropa e Lirë: Në komunikimin që keni pasur me udhëheqësit e manastirit, kur ju keni kërkuar prej tyre që të komunikojnë me sulmuesit, çfarë ju kanë thënë, se pse nuk u dorëzuan?

Gazmend Hoxha: Ai ka thënë se nuk kam mirëkuptim nga ana e tyre edhe po ashtu se nuk jam i sigurt se ka apo nuk ka njerëz brenda manastirit. Më vonë, gjatë procesit të afrimit të policisë afër manastirit, ne jemi ballafaquar me shkëmbim zjarri me personat e armatosur. Edhe pse një grup ka arritur të largohet, prapëseprapë një grup tjetër ka qenë në lokalet përcjellëse rreth manastirit.