Trajneri Xhemajl Beqiri ishte tejet i përkushtuar në stërvitjet e së mërkurës. Të përkushtuar ishin edhe lojtarët e Drenica Futsal, të cilët dukeshin të motivuar për sukses.

Në palestrën “Ilaz Kodra”, në Skenderaj ndëgjohej shpesh fjala fitore. Kjo pasi të premtën, në ora 20:30, Drenica do të luaj në kryeqytet, me FC Prishtina 01, në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës. Për trajnerin Beqiri, objektivat për këtë ndeshje dhe sezonin në tërësi janë të qarta.

“Mendoj që gatishmëria dhe mentaliteti këtë vit është më i lartë se kurrë për të sjellur trofe në Skenderaj.Puna po shkon shumë mirë. Testi jonë i parë është ky i gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në Prishtinë. Po mendoj që me punën dhe angazhimin që kemi do kthehemi me rezultate pozitive. Objektivat dhe synimet janë të qarta. Kupa e Kosovës dhe titulli kampion i Superligës”.

Ai pati edhe një falenderim për tifozët, të cilët janë gjithmonë prapa klubit.

“Arma dhe karekteristika e klubit tonë është mbështjetja e qytetarëve. Dua t’i falenderoj dy tifozëritë e veçanta ‘Shqiponjat e Zeza’ dhe ‘L2 Boys’, të cilët janë gjithmonë në përkrahje të klubit, si në lojët vendës, ashtu edhe si mysafirë”.

Se Drenica synon tituj, e tha edhe kapiteni Behar Selmanaj.

“Ne jemi brenda objektivave. Jemi me synime që ta shpallemi kampion të Superligës së Kosovës në futsall, po ashtu edhe për Kupë të Kosovës. Jemi përgatitur shumë mirë për këtë lojë”.

Një angazhim të madh po e jep edhe presidenti, Taulant Kadriu, i cili e falenderoi një person, që i ka qëndruar klubit prapa në çdo hap.

“Nuk mundem pa e cek se e gjithë kjo është bërë e mundur nga një njeri i vetëm: Hamdi Shabani, i cili falë pasionit të tij e themeloi vitin 2001 dhe që nga atëherë është donator i vetëm i tij, duke shpenzuar nga xhepi i tij personal”.

Drenica Fustal është skuadra më e vjetër në Superligën e Kosovës. Në përbërje të saj ka lojtarë të dalluar vendor dhe talentë nga Kolumbia e Brazili, që e bën Drenicën një përzierje unike të kulturave, stileve dhe aftësive në parket.