Dreshaj për projektligjin e barnave: Më mirë një ligj i keq sesa të mos ketë fare
Në Kuvendin e Kosovës, po diskutohet propozimi për shqyrtimin e parë të Projektligji për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale i propozuar nga opozita. Kundër miratimit të këtij Projektligji, ka dalë partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka kritikuar Projektligjin në fjalë, duke thënë se nuk është përpiluar si duhet. Si kundërpërgjigje, deputeti […]
Në Kuvendin e Kosovës, po diskutohet propozimi për shqyrtimin e parë të Projektligji për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale i propozuar nga opozita.
Kundër miratimit të këtij Projektligji, ka dalë partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka kritikuar Projektligjin në fjalë, duke thënë se nuk është përpiluar si duhet.
Si kundërpërgjigje, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka thënë se më mirë një ligj i keq sesa të mos e ketë fare.
Sipas tij, projektligji i propozuar nga opozita, mund të miratohet në lexim të parë kurse në lexim të dytë bashkë me pozitën ta ripërpunojnë atë.
“Ma mirë është ligji i keq se të mos ketë ligj. Një fushë që nuk ka qenë e rregulluar deri më sot të rregullohet. Ky ligj është i gatshëm, këtë ligj e kemi në lexim të gatshëm, mund ta ripërpunojmë”, ka deklaruar Dreshaj.
“E ftoj ministrin ta mbështesë këtë ligj dhe mandej ta përpunojmë. Brenda dy leximeve ligji mund të ndërrohet e përpunohet”, ka vijuar ai.
Tutje, Dreshaj është shprehur se nëse pushtetit i pengon që opozita e ka propozuar Projektligjin, mund të heqin dorë dhe ta marrë pozita.
“Rekomandoj që nëse është pengesë që ky ligj ka ardhur nga opozita, t’ia ndërrojmë o burra e gra preambulën dhe të dalë si ligj i pozitës”
Në fund, Dreshaj ka pasur një mesazh për deputetët në gjuhën angleze “Don’t look back my son”, që i bie “Mos shiko prapa”.















