Drita është kampionia e re e Kosovës në futboll.

Skuadra nga Gjilani e siguroi titullin të dielën me fitoren 1:0 ndaj Llapit, në kuadër të xhiros së 32-të të Superligës.

Golin e vetëm dhe të fitores për Dritën e shënoi Iljasa Zulfiu nga një goditje dënimi në minutën e 84-të në stadiumin e Gjilanit.

Me këtë fitore, Drita arrin në kuotën e 69 pikëve, 12 më shumë se Ballkani që ndodhet në vendin e dytë. Edhe pse kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të kampionatit, Drita e ka siguruar titullin, pasi ka fituar të gjitha tri përballjet direkte me Ballkanin dhe do të jetë e para edhe në rast të barazimit të pikëve.

Ky titull është i katërti në histori për Dritën. Kampionatin e fitoi për herë të parë në vitin 2003, më pas në sezonin 2017/18 dhe 2019/20. Ballkani kishte dominuar tre sezonet e fundit, ndërsa Prishtina mbetet skuadra më e trofeshme në vend, me gjithsej 11 tituj kampioni.