Dronët Bayraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë kanë zbarkuar në Shqipëri.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një postim në Facebook, ku ka shpërndarë edhe foto të dronëve.

Tre dronët TB2 të porositur nga qeveria shqiptare në vitin 2022 kanë mbërritur në Shqipëri dhe sipas ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, prej dy ditësh ka nisur montimi i tyre në bazën e NATO-s në Kuçovë.

“Prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre”, tha ministri, duke shtuar se ky zhvillim jo vetëm që rrit aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërben edhe si dëshmi e angazhimit të vendit për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për t’i përmbushur standardet më të larta të mbrojtjes”, ka shkruar ai.

“Kjo arritje, simbol i dedikimit tonë drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat tona të Armatosura”, ka shtuar ministri Peleshi.