Dy persona janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur pasi dronët rusë goditën një pikë kufitare mes Ukrainës dhe Moldavisë në rajonin jugor të Odesës, njoftuan autoritetet ukrainase të mërkurën.
Guvernatori i Odesës, Oleh Kiper, tha se sulmi ndodhi pranë pikës së kalimit kufitar Starokozache dhe shkaktoi një zjarr të madh. Për shkak të sulmit, qarkullimi i automjeteve dhe kalimi i udhëtarëve në kufi u ndërprenë përkohësisht. Autoritetet ukrainase thanë se viktimat ishin civilë që ndodheshin pranë pikës kufitare në momentin e sulmit, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Ndërkohë, Rusia kreu gjatë natës edhe sulme me dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit.
Shërbimet e emergjencës raportuan për disa zjarre, por thanë se nuk pati viktima në kryeqytet. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se një dron rus goditi një ndërtesë 16-katëshe në orët e para të së mërkurës, ndërsa ekipet e emergjencës u dërguan në vendngjarje.
Sulmet ndaj Kievit rifilluan të martën pas një ndërprerjeje të shkurtër, e cila përkoi me vizitën e negociatorëve amerikanë të paqes.
Sipas autoriteteve ukrainase, pesë persona u vranë në kryeqytet gjatë sulmeve të mëparshme.
Goditja e pikës kufitare Ukrainë-Moldavi shënon një tjetër zhvillim shqetësues, pasi sulmet ruse po prekin gjithnjë e më shumë infrastrukturën pranë kufijve dhe zonat e përdorura nga civilët për lëvizje dhe transport.