Lituania të mërkurën lëshoi një paralajmërim për “rrezik ajror”, duke u kërkuar njerëzve të strehohen teksa pezulloi edhe trafikun në aeroportin e kryeqytetit, pasi një dron shkeli hapësirën ajrore të vendit.
Shteti anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian pezulloi gjithashtu qarkullimin e trenave në rajonin e Vilniusit, ndërsa shkollave dhe kopshteve iu kërkua që t’i dërgonin fëmijët në strehimore gjatë incidentit, i cili zgjati pothuajse një orë, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Strehuni menjëherë në një vend të sigurt, kujdesuni për të afërmit tuaj dhe prisni rekomandime të reja”, tha ushtria lituaneze në një mesazh të dërguar qytetarëve në kryeqytetin Vilnius.
Trafiku ajror dhe hekurudhor është rikthyer që atëherë, por paralajmërimet për rrezik ajror mbetën ende në fuqi për disa pjesë të vendit.
Paralajmërim u dha edhe në ndërtesën e parlamentit në Vilnius, ku ndodheshin deputetë dhe ministra.
Duke folur për Reuters nga një strehimore nëntokësore, ministri i Mbrojtjes, Robertas Kaunas, tha se avionët ushtarakë po përpiqeshin të neutralizonin kërcënimin.
“Misioni i Policimit Ajror të NATO-s është aktivizuar dhe po synon një dron të zbuluar në hapësirën ajrore të Lituanisë”, tha Kaunas.
Një avion luftarak i NATO-s të martën rrëzoi një dron të dyshuar ukrainas mbi Estoni, sipas autoriteteve baltike.
Ukraina ka shtuar sulmet me dronë me rreze të gjatë ndaj Rusisë, përfshirë zonat përreth Detit Baltik. Që nga marsi, disa dronë ushtarakë ukrainas kanë hyrë gabimisht në hapësirën ajrore të vendeve anëtare të NATO-s si Finlanda, Letonia, Lituania dhe Estonia, të cilat kufizohen me Rusinë.
Qeveria e Letonisë javën e kaluar dha dorëheqjen për shkak të mënyrës se si i trajtoi këto incidente.
Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave në Lituani tha më herët të mërkurën se kishte lëshuar alarm pasi një dron në Bjellorusi u pa duke fluturuar drejt Lituanisë, duke shtuar se origjina e dronit ende nuk ishte konfirmuar.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ushtria ruse po e monitoron nga afër situatën me dronët që po fluturojnë në hapësirat ajrore të shteteve baltike dhe po përgatit një përgjigje të përshtatshme.