Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentes së vendit është i qartë dhe se shumica parlamentare është e përcaktuar për kandidaten Feride Rushiti.
Para nisjes së seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, Dugolli theksoi se Rushiti është një figurë që, sipas tij, mund të përfaqësojë unitet dhe nuk i përket vetëm një subjekti politik.
“Çështja është shumë e qartë, i kemi dy kandidatura, e një për të cilën jemi përcaktuar: zonja Feride Rushiti, një zonjë e ndershme, e zgjedhur me votë, e cila besoj që do t’i bënte mirë vendit tonë dhe gjithë shoqërisë. Pra, nuk është e Vetëvendosjes, nuk ka qenë asnjëherë e Vetëvendosjes, është e të gjithë neve, prandaj do të duhej që të ishim të gjithë bashkë dhe ta zgjedhim”, deklaroi ai.
Ai kritikoi qëndrimin e opozitës, duke thënë se problemi nuk qëndron te kandidatja, por te synimi për të bllokuar institucionet e vendit.
“Kjo po tregon që, fatkeqësisht, opozita asnjëherë s’e ka pasur problemin te zgjedhja e kësaj presidenteje. Për ta është e vetmja mundësi për ta bllokuar shtetin, për ta bllokuar qeverinë dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
Dugolli hodhi poshtë akuzat për shkelje kushtetuese dhe procedurale gjatë procesit të votimit, duke i cilësuar ato si të pabazuara. Sipas tij, thirrja për seancë është bërë në përputhje me rregullat dhe i drejtohet të gjithë deputetëve pa dallim.
“Thirrja e seancës është për të gjithë deputetët e Republikës, pa dallim. Pra thirrja dërgohet, është dërguar, madje ka thirrje të vazhdueshme nga kryetari i Kuvendit dhe besoj që asgjë, askush nuk po shkel kushtetutë, nuk po shkel procedura, as rregullore. Është krejtësisht e pabazë kjo akuzë”, u shpreh Dugolli.
“I ftoj edhe njëherë, edhe përmes mediave, partitë opozitare që t’i sjellin deputetët, të mos fshihen prapa skutave këtu në Kuvendin e Republikës, por të vijnë e të debatojnë dhe të marrin vendime të dobishme për qytetarët e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
