Dugolli për masakrën e Burgut të Dubravës: Prokuroria të zgjohet nga gjumi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i cili i ka mbijetuar Masakrës në Burgun e Dubravës, në 23-vjetorin e kësaj ngjarje ka thënë se Prokuroria duhet të “zgjohet nga gjumi”

Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli

Në kujtim të viktimave që ishin vrarë në Burgun e Dubravës nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se hapi i parë për të ecur drejt së ardhmes është ndëshkimi i gjenocidit dhe distancimi nga e kaluara e tyre.

Ai, në një konferencë për media, ka theksuar se faktet e pamohueshme të kësaj masakre tregojnë, jo vetëm për krimin, por edhe për mizorinë që vazhdon ta ketë pushteti serb.

“Edhe masakër edhe fshehje e trupave të më të dashurve tanë, ky është krim i dyfishtë”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se prokuroria “duhet të zgjohet nga gjumi, dhe të fillojë të dëgjojë dëshminë e të mbijetuarve”.

Emrat e viktimave të vrarë në Burgun e Dubravës

“Nuk harrojmë deri sa ta kemi frymën e fundit, sepse gjithmonë do të na shfaqen në kujtesën tonë fytyrat e venitura e trupat e dërrmuar dhe të masakruar të mbi 120 shokëve. Por vallë, a e mbren ndërgjegjja drejtësinë vendore e ndërkombëtare që nuk po bëjnë asnjë lëvizje deri sot”, ka theksuar ai.

Sipas tij, nuk ka fakt më të madh se shuarja e jetës së njerëzve, derisa thotë se plagët e të plagosurve ende flasin vetë.

“Ju garantojmë se të gjithë do të dëshmojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Ne ende i mbajmë mend dhe kurrë nuk do t’i harrojmë përgjegjësit e ekzekutorët e krimeve që kishin vënë maskat në fytyrë për t’u mos u dalluar”, shtoi ai.

Ndërkohë, Dugolli ka renditur në mënyrë kronologjike ngjarjen e ndodhur 23 vjet më parë, ku kishte filluar loja ndaj të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës.

Ai ka potencuar se nga mesi i muajit të prillit, deri në fund të muajit maj të vitit 1998, është zbrazur Burgu i Dubravës nga të gjithë të burgosrit shqiptarë për vepra penale dhe ordinere, duke i dërguar gjithandej në Serbi me arsyetimin nga ministria e Serbisë se në Kosovë nuk ka siguri.

Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli

“Burgu i Dubravës për një vit shndërrohet në bazën më të fortë dhe të fuqishme të bazës së policisë serbe. Një vit më vonë, kur në Kosovë nuk kishte siguri fare, kishin filluar edhe bombardimet, gjatë muajit maj dhe prill në Burgun e Dubravës është bërë grumbullimi i pengjeve shqiptarë. Nuk na thanë asgjë, pse na kthyen dhe na grumbulluan atje”, ka rrëfyer ai, si një nga të mbijetuarit.

Ai vazhdoi duke thënë se përzgjedhja, transferimi dhe sistematizimi i tyre në Burgun e Dubravës është bërë në funksion të një plani të mirëpërgatitur.

“Më datë 16 maj, në mënyrë misterioze nxirret nga Burgu i Dubravës profesori Ukshin Hoti, duke e zhdukur çdo gjurmë të tij, ndërsa më 19 maj aeroplanët e NATO-s bombarduan caqet policore ushtarake serbe që ndodheshin jashtë mureve të Burgut. Ne të burgosurit mendonim që NATO kishte sulmuar edhe objektet brenda mureve të burgut”, ka shtuar ai.

Ai ks theksuar se pas tërheqjes së avionëve të NATO-s, aviacioni serb sulmoi pavijonet e mbushura me shqiptarë për t’ia lënë fajin NATO-s, për të arritur kulmin më 22 dhe 23 maj, ku çmenduria fashiste serbe kreu ekzekutimin masiv me qëllim të shkatërrimit të shqiptarëve të burgosur.

“Bilanci tragjik ishte nga 995 të burgosur shqiptarë, vriten, ezkekutohen e masakrohen barbarisht mbi 120 persona dhe plagosen 185 të tjerë. Sot edhe pas 23 vjetëve neve të mbijetuarve ende na shfaqen parasysh skenat e vrasjeve, së bashku me klithmat e vëllezërve tanë që shuheshin para plumbave e granatave të hedhura mbi trupat tanë”.

“Ne nuk mund ta harrojmë se Aleksandër Rakoçeviq ishte drejtor i burgut, nuk mund të harrojmë se zëvendës i tij ishte Aleksandër Zhivkoviq, Branko Komatina ishte mbikqyrës”, ka përfunduar ai.

Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, për të cilën ende nuk është dënuar askush.

23 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës

Shija e redaktorit

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 446 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Rama e quan “hap historik” votimin Pro anëtarësimit të Kosovës...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka konsideruar si hap historik votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës(KiE) që i hap rrugë anëtarësimit...

Të fundit nga rubrika