Drejtori i institutit “POLCON”, Fitim Mulolli, ka kritikuar mënyrën se si është menaxhuar ngërçi politik në Kosovë, duke thënë se vendi ka hyrë në një cikël zgjedhor dhe institucional për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike.
Në FIVE të TV Dukagjinit, Mulolli tha se ka pasur mungesë serioziteti në përpjekjet për zgjidhjen e krizës institucionale, veçanërisht sa i përket procesit të zgjedhjes së presidentit dhe funksionimit të institucioneve kryesore të shtetit.
Sipas tij, komunikimi politik i bazuar përmes mediave dhe jo përmes dialogut direkt me opozitën ka dëmtuar procesin e arritjes së një marrëveshjeje.
“Kosova shkoi në zgjedhje për shkak të mos konsensusit politik. Kam bërë thirrje vazhdimisht p’r më shumë seriozitet në zgjidhjen e ngërçit institucional. Më shumë seriozitet në emërim e një presidenti apo presidentet të ri apo vazhdimin e mandatit të ish-presidentes Osmani. Nuk kemi parë diçka të tillë, unë mendoj që nuk është qasja të komunikojë me opozitën përmes mediave, prezantoi dy mera dy ditë para skadimit të afatit apo kështu me radhë. Nuk është qasja serioze, e para. E dyta referenca që vazhdimisht që anëtarët dhe deputetët e LVV-së i bëjnë shifrave, qysh me bë dikë president që i ka 15 apo 17 për qind nuk qëndrojnë. Sepse sistemi politike i Kosovës dhe demokracitë perëndimore nuk funksionon ashtu. Duhet kompromis, duhet konsensus. Kryeministrit Kurti askush nuk është duke iu lyp pozitën e kryeministrit.
Kemi pasur raste në të kaluarën që partia më e madhe ka lëshuar pe, dhe i është dhënë partisë së dytë apo edhe të tretë pozita e kryeministrit…
Prandaj po mendoj dhe po shpresoj që kryeministri Kurti është në një pozitë me më shumë pjekuri politike, e ka parë çfarë ka ndodhur këto muajt e fundit, e ka parë që Kosova ka humb më shumë se çdo kush dhe vetëm LVV-ja si parti ka 5 deputetë më pak në Parlament. Prandaj në situatën që është Kosova do të duhej një marrëveshje politike me njërën prej subjekteve politike. Në mënyrë që kur të shkohet në Kuvend të mund të votohet brenda dy ditëve kryetari i parlamentit, kryeministrit dhe presidenti”, ka thënë Mulolli.
Ndërkohë, sipas rezultateve të fundit zgjedhore me 95.17% të votave të procesuara (2,719 nga 2,857 vendvotime), partitë qëndrojnë kështu: Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 52 ulëse me 46.50% të votave (364,149 vota), Partia Demokratike e Kosovës 22 ulëse me 19.71%, Lidhja Demokratike e Kosovës 19 ulëse me 16.89%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 ulëse me 6.80%.