Diplomati britanik John Stewart Duncan, dëshmitar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka ofruar detaje mbi mënyrën se si funksiononte Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) gjatë luftës së viteve 1998–1999 dhe sfidat me të cilat përballeshin forcat ndërkombëtare gjatë negociatave për demilitarizimin.

Duncan theksoi se UÇK-ja nuk funksiononte si një ushtri normale. Ai shpjegoi se NATO-ja zakonisht nuk negocion në nivele rajonale, por vetëm me komandantin kryesor.

Sidoqoftë, me UÇK-në kjo ishte e pamundur për shkak të mungesës së një strukture hierarkike të qartë.

“Si rregull, NATO-ja do të ftonte komandantët e lartë dhe do bëhej një marrëveshje në mes gjeneralit (Wesley) Clark dhe cilitdo që do ishte nga pala tjetër. Nuk do shkonim kurrë në nivel rajonal. Kjo shërben për të kuptuar strukturën hierarkike. Pra, si funksiononte atje”.

“Nuk mund të shkonim thjesht të bisedonim me Thaçin apo me zotin Çeku dhe të mendonim se e zgjidhem problemin. S’funksiononin gjërat kështu. Duhej të flisnim me persona që kishin kompetenca dhe ata ishin komandantët e zonave…”, ka thënë.

“Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonal dhe kjo na u konfirmua kur u takuam me gjeneralin Agim Çeku në fillim të negocimit e marrëveshjes”.