Ish-këshilltari politik i gjeneralit amerikan Wesley Clark, Michael Durkee, ka dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai ka treguar se në takimin e zhvilluar në mars ose prill të vitit 1999 në Mons të Belgjikës mes Clarkut dhe përfaqësuesve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, NATO ende nuk kishte njohuri të plota për kapacitetet ushtarake të UÇK-së.
Në dokumentin që iu prezantua gjatë seancës, thuhej se në atë takim kishin marrë pjesë Hashim Thaçi, Ramë Buja, Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Blerim Shala, Edita Tahiri, Mehmet Hajrizi, Fehmi Agani dhe Gjergj Dedaj.
Durkee konfirmoi se i njihte të gjithë me emër, por personalisht kishte takuar vetëm Thaçin dhe Krasniqin.
“Personat që i kam takuar personalisht kanë qenë zoti Thaçi dhe Krasniqi dhe emrat tjerë janë thjesht të dëgjuar dhe jo të takuar”, ka thënë Durkee.
Ai sqaroi se në atë kohë gjenerali Clark po vlerësonte mundësinë e bashkëpunimit me përfaqësuesit e UÇK-së dhe mënyrat për të siguruar mbështetje nga NATO për fushatën ajrore kundër forcave serbe.
Sa i përket kapaciteteve ushtarake të UÇK-së, ai theksoi se NATO nuk kishte informacion të saktë në atë kohë.