Ka nisur faza e betonimit për dy ura të reja mbi lumin Ibër në veri të Mitrovicës.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, përmes një postimi në Facebook.

“Filluam me betonimin e pilotave. Në vjeshtë edhe dy ura mbi Ibër”, ka shkruar Durmishi, duke konfirmuar kështu përparimin e projektit që synon përmirësimin e infrastrukturës ndërlidhëse në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

Ndërtimi i këtyre urave vjen si rezultat i një Memorandumi Bashkëpunimi të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së Jugut dhe Veriut.

Gurthemeli për këto ura u vendos vetëm disa ditë më parë, dhe pritet që ndërtimi i tyre të përfundojë në vjeshtë, duke shtuar kështu dy ura të reja në lumin Ibër dhe duke lehtësuar qarkullimin dhe ndërlidhjen urbane në këtë zonë të ndjeshme.