Mikrofonin po e defunksionalizon e këtë ngase, vlerëson se po veprohet në dëm të kryeqytetit.

Por Kryesuesi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla këtë veprim e ndërmori gjatë votimit të buxhetit, proces në të cilin morën pjesë dy asamblistë të të njëjtit subjekt.

E ndonëse pranon se kjo nënkupton dëmtim të pronës publike, Sveçla thotë se dëm më të madh të kësaj natyre ka bërë vet Rama.

Gëzim Sveçla, kryesues i asamblistëve të LVV-së deklaroi se “Nuk bëhet fjalë për vandalizim të sallës së Kuvendit, është aksion simbolik në mënyrë që të paktën përkohësisht të ndërpritej seanca në të cilën do të mirreshin vendime të dëmshme për qytetin dhe bamorët e Prishtinës. Jam në dijeni se është vepër penale…por smbahet mend në histori të Prishtinës të ketë dëmtuar më shumë pronën publike sesa Përparim Rama dhe LDK-ja”.

Duke ngritur dyshime për afera të tjera, nga LVV kërkojnë që prokuroria të nisë hetimet.

Egzon Azemi, ish-asamblist i LVV-së tha se ” Kryetari Rama me profiterë të kësaj partie janë të gatshëm me çdo kusht t’i shtyejnë këto projekte. Asamblistëve të caktuar u janë ofruar shtëpi në këmbim të votave. Me pak fjalë, qindra mijëra euro po ipen që të ofrohen ndërtime milionëshe në tokat bujqësore”.

Veprimet e Sveçlës në Kuvend, i ka dënuar edhe kryetari, Përparim Rama.

Përparim Rama, Kryetar i Prishtinës:

“Prej muajsh, asamblistët e Vetëvendosjes kanë bllokuar çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve, duke përfshirë këtu edhe miratimin e buxhetit me qëllim që të krijojnë ngërç dhe të bllokojnë ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët.  Sot, Vetëvendosje e demaskoi veten, duke dëshmuar se qëllimi i tyre i vërtetë ka qenë dhe mbetet: përdhosja e institucioneve dhe penalizimi i qytetarëve. Kjo sjellje është një akt i turpshëm që meriton dënimin e çdo qytetari dhe të çdo institucioni demokratik. Kërkojmë nga organet e rendit që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet maksimal, si për pengesën që iu bë përfaqësuesve në ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese, ashtu edhe për dëmtimin e pronës publike”.

Buxheti i Komunës është votuar me 25 vota për asnjë kundër dhe një abstenim.