Dy fëmijë, të moshës katër dhe dy vjeç, janë gjetur të vdekur në veturën e familjes së tyre në juglindje të Francës, kanë njoftuar autoritetet lokale, në një kohë kur pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore po përballet me një valë të fortë të të nxehtit që po thyen rekorde temperaturash.
Prokurorja e qytetit Carpentras, Hélène Mourges, tha se shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar, por temperaturat ekstreme janë “hipoteza kryesore e hetimit”, pasi në zonë pritej që temperaturat të kalonin 39°C gjatë ditës së hënës.
Ngjarja vjen pas disa vdekjeve të tjera të lidhura me të nxehtin në Francë. Sipas autoriteteve, tre persona të moshuar, të moshës 80 deri në 95 vjeç, kanë humbur jetën gjatë fundjavës pranë Bordosë për shkak të problemeve shëndetësore të shkaktuara nga temperaturat e larta. Gjithashtu, 13 persona të tjerë janë mbytur në aksidente noti.
Autoritetet franceze kanë vendosur rreth gjysmën e vendit – 49 nga 96 rajone kontinentale – nën alarm të nivelit të lartë për rrezik për jetën, duke u bërë thirrje rreth 35 milionë banorëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin aktivitetet e rënda dhe ekspozimin në diell.
Sipas shërbimit meteorologjik Météo-France, temperaturat në disa zona të Francës perëndimore dhe qendrore pritet të kalojnë 40°C, ndërsa në qytete si Bordo mund të arrijnë deri në 43°C. Parisi pritet të shënojë rreth 39°C.
Për shkak të situatës, më shumë se 1,300 shkolla janë mbyllur, ndërsa mijëra orë mësimore janë riorganizuar. Po ashtu, janë anuluar dhe reduktuar disa linja treni për shkak të rrezikut nga mbinxehja e infrastrukturës.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kujdesen për të moshuarit dhe personat e brishtë, duke paralajmëruar se vala e të nxehtit mund të zgjasë disa ditë.
Ndërkohë, edhe Spanja ka shpallur valën e parë zyrtare të të nxehtit për këtë vit, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 44°C në disa zona, duke detyruar edhe anulime eventesh publike për shkak të kushteve ekstreme.