Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka fituar zgjedhjet në landin gjerman Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, duke lënë pas Partinë Socialdemokrate (SPD), ndërsa Unioni Kristian Demokrat (CDU) i kancelarit Friedrich Merz ka dështuar të sigurojë ulëse në parlamentin e landit.
Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga komisioni zgjedhor, AfD-ja ka marrë 38.2 për qind të votave, ndërsa SPD-ja, e drejtuar në këtë land nga kryeministrja Manuela Schwesig, ka siguruar 35.5 për qind.
Në parlamentin e ri do të përfaqësohen edhe Partia e Majtë (Die Linke), me 6.5 për qind të votave, dhe të Gjelbrit, me 5.7 për qind.
AfD-ja do të ketë 32 ulëse, SPD-ja 29, ndërsa Die Linke dhe të Gjelbrit nga pesë ulëse secila.
Rezultati nënkupton se koalicioni i mëparshëm mes SPD-së dhe Die Linke nuk ka më shumicën parlamentare. Megjithatë, një koalicion i përbërë nga SPD-ja, Die Linke dhe të Gjelbrit do të mund të siguronte shumicën. Të tria partitë kanë përjashtuar bashkëpunimin me AfD-në.
Humbje të thellë ka pësuar CDU-ja e kancelarit Friedrich Merz, e cila ka marrë vetëm 4.9 për qind të votave dhe nuk ka arritur të hyjë në parlamentin e landit. Ky është rezultati më i dobët i partisë në një palë zgjedhje rajonale në Gjermani. Rekordi i mëparshëm negativ i CDU-së ishte 9 për qind, i shënuar në Bremen në vitin 1951.
Edhe Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) ka mbetur jashtë parlamentit, pasi ka marrë 4.8 për qind të votave, duke mos e kaluar pragun prej 5 për qind. Partia Demokratike e Lirë (FDP) ka siguruar vetëm 1 për qind.
Pas publikimit të rezultateve, kancelari Friedrich Merz e ka cilësuar rezultatin në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore si “katastrofë”, ndërsa ka mbajtur një qëndrim sfidues lidhur me të ardhmen e tij politike dhe reformat në Gjermani.
“Ne nuk mund t’i zbukurojmë rezultatet në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore – ishte një katastrofë”, ka deklaruar Merz.
Ndërkohë, bashkëkryetari i AfD-së, Tino Chrupalla, ka thënë se partia e tij ka marrë një mandat të qartë për të qeverisur landin dhe ka paralajmëruar se do t’u ofrojë partive të tjera bisedime për koalicion. Ai ka kërkuar gjithashtu dorëheqjen e kancelarit Merz.
Zgjedhjet në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore dhe në Berlin janë parë si një test i rëndësishëm për qeverisjen e Merzit, në një kohë kur mbështetja ndaj tij është në nivele të ulëta.
Në Berlin, Partia e Majtë ka dalë e para, me rreth 25 për qind të votave, duke lënë pas CDU-në. Megjithatë, partitë më të vogla që ndodhen pranë pragut zgjedhor prej 5 për qind mund të ndikojnë në ndarjen përfundimtare të ulëseve dhe në formimin e koalicioneve.
Për herë të parë, në zgjedhjet në të dy landet kanë pasur të drejtë vote edhe të rinjtë 16- dhe 17-vjeçarë.