Punën nuk e kanë të lehtë e mundësitë për të reaguar shpeshherë nuk i kanë më të favorshmet.
Pozicioni që Brigada e Zjarrfikësve tani gjendet, u ofron mundësi të shpejta reagimi në pjesët kryesore të kryeqytetit.
Por në pjesët jashtë saj, reagimi ndonjëherë mund të jetë i vonuar.
E kjo çështje pritej të zgjidhej me ndërtimin e dy pikave të reja, premtim ky i cili ishte dhënë nga Kryetari, Përparim Rama.
Megjithatë, të njëjtat ende nuk janë realizuar.
Nga Brigada e Zjarrfikësve thonë se planet e pozicionit të dy pikave tanimë janë bërë.
“Ne kemi procedura standarte që brenda 10 minutave duhet të arrijmë në vendin e ngjarjes. Ajo pjesë që është e pambulueshme duhet të ndërtojmë stacion të zjarrfikësve me qëllim që mbëlueshmërinë ta kemi shumë më efikase në rastet e fatkeqsive natyrore. Ka specifika, duhet ta ndërtojmë ku parashihet. E kemi paraparë që të jenë një në Bregun e Diellit e një në Hajvali”, tha Mal Gashi, komandant i Zjarrfiksve.
Sipas Gashit, dy pikat e reja do rrisnin nivelin e efikasitetit.
“Problemi është te efikasiteti në reagim për zjarre dhe fatkeqësi të tjera, aty pika kryesore merret për shpëtimin e jetës së tyre. Në aspektin e saj neve na ndihmon se ne reagojmë njëjtë si prej këtu, por koha shkurtohet dhe reagimi duhet të jetë brenda 10 minutave, gjasat janë më të mëdha me shpëtu jetë e vlera. N’këtë aspekt na kishte ndihmu”, vijoi ai.
Por, i pari i kryeqytetit, thotë se projekti tanimë gjendet në hapat e parë të tij.
“Kemi pas diskutime bashkë me ta ku kanë kërkuar, e kanë bërë një ekip që po i shqyrton kërkesat. Ne veç i kemi caktuar dy pika me arkitektin e qytetit, edhe i kemi dizajnu dhe do t’i ftojmë për të ua prezantuar atyre dhe të shohim se a po pajtohemi që këto pika janë ato që po mendojnë. Në rast se po, do e shtyjmë procesin përpara”, tha Përparim Rama.
Megjithatë, Rama nuk shprehet optimist se zjarrfikësit do bëhen me dy pika të reja brenda mandatit të tij.
“Patjetër që mundet me u fillu por me përfundu, me siguri duke e parë dinamikën e shumë ndërtuesve me siguri që jo. Do kishte mundësi të kemi një dinamikë perëndimore po duhet t’u adaptohemi mundësive këtu. Gjithsesi duhet t’fillojë por a përfundon, mbetet me e pa”, vijoi ai.
Një datë për takimin e përmendur nuk është caktuar akoma.
Bazuar në planifikime, vlera e buxhetit të nevojshëm për pikat sipas Ramës arrin diku 4-5 milionë euro të nevojshme për secilën.