Policia e Kosovës ka njoftuar se të dielën, në qytetin e Pejës, ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pengim ndaj personit zyrtar”.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, incidenti ka ndodhur gjatë kohës kur njësiti policor ishte duke shqiptuar një gjobë për kundërvajtje ndaj njërës prej palëve të përfshira. Në atë moment, dy të dyshuarit, shtetas kosovarë, kanë reaguar me agresivitet duke sulmuar dhe penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës.

Si pasojë, lëndime trupore kanë pësuar dy policë dhe njëri nga të dyshuarit. Të tre janë trajtuar me ndihmë mjekësore.

Me urdhër të prokurorit të rastit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.