Dy burra janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim pas një sulmi të rëndë me thikë në një tren me shpejtësi të lartë në qarkun e Anglisë lindore, Cambridgeshire, që la të paktën dy persona në gjendje kërcënuese për jetën, njoftoi Policia Britanike e Transportit (BTP).
Incidenti ndodhi të shtunën mbrëma në një tren të kompanisë LNER, i cili ishte nisur nga Doncaster drejt King’s Cross në Londrën qendrore në orën 18:25. Treni u detyrua të ndalonte urgjentisht në stacionin Huntingdon, pasi policia mori njoftime për disa goditje me thikë brenda njërit prej vagonëve.
Një shtetas britanik 32-vjeçar me ngjyrë dhe një 35-vjeçar me prejardhje nga Karaibet janë arrestuar në lidhje me sulmin. Njëri prej tyre, i cili mbante një thikë të madhe në dorë, u neutralizua nga policia me një armë Taser në stacionin e trenit.
Policia theksoi se nuk ka asnjë tregues që ngjarja të ketë lidhje me terrorizmin, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të ofrojnë çdo informacion të mundshëm për hetimin.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjete sociale tregojnë momentin kur pesë oficerë policie rrëzojnë përtokë një të dyshuar, i cili sipas dëshmitarëve bërtiste “më vrit, më vrit”.
Superintendenti John Loveless i BTP-së tha për gazetarët se policia reagoi brenda pak minutash:
“Rreth orës 19:42 morëm disa telefonata për një sulm me thikë në një tren pasagjerësh. Oficerët mbërritën menjëherë në stacionin e Huntingdon, ku oficerët e armatosur hipën në tren dhe arrestuan dy persona vetëm tetë minuta pas telefonatës në 999,” tha ai.
Në total, 11 persona u trajtuan në spital. Dhjetë prej tyre u transportuan me ambulancë, ndërsa një tjetër u paraqit vetë më vonë. Sipas Loveless, dy viktima janë ende në gjendje kërcënuese për jetën, ndërsa katër persona janë liruar pas trajtimit mjekësor.
Një dëshmitar, Olly Foster, tregoi për BBC se ishte në vagonin H kur një pasagjer filloi të bërtiste për ndihmë:
“Në fillim mendova se ishte shaka, ndoshta për Halloween, por fytyrat e njerëzve tregonin panik të vërtetë,” tha ai.
Foster përshkroi skena kaosi, me pasagjerë të përgjakur që vraponin nëpër korridore.
Ai tha se pa një burrë me plagë në kokë dhe qafë që përpiqej të mbronte një grua të re nga sulmuesi.
“Ne po i jepnim xhaketa për t’i ndalur gjakun, skena ishte e tmerrshme”, raporton The Guardian.