Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri gjatë një përleshjeje fizike në Podujevë, ndërsa gjashtë persona janë arrestuar lidhur me rastin.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 26 korrik 2026, rreth orës 18:50. Gjatë përleshjes mes disa personave, njëri nga të dyshuarit, mashkull kosovar, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri, duke plagosur dy meshkuj kosovarë.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy gëzhoja dhe tri automjete, të cilat do të shërbejnë si prova në hetim.
Me vendim të prokurorit janë arrestuar gjashtë të dyshuar, të cilët pas intervistimit janë dërguar në mbajtje. Ndërkohë, i dyshuari që dyshohet se ka shtënë me armë zjarri ndodhet në kërkim policor.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe hetimet po vazhdojnë.