Autoritetet polake kanë identifikuar dy burra ukrainas si të dyshuarit kryesorë për sabotimet hekurudhore që ndodhën gjatë fundjavës në Poloni.

Kryeministri polak, Donald Tusk informoi ligjvënësit se të dy burrat kishin hyrë në Poloni nga Bjellorusia këtë vjeshtë dhe dyshohet se vepronin në bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës ruse.

Sipas Tusk, një nga të dyshuarit është dënuar më herët nga një gjykatë në Lviv për veprime sabotimi. Pas incidenteve, të dy janë kthyer përsëri në Bjellorusi.

Kryeministri i përshkroi sulmet si “të pashembullta” dhe “ndoshta incidentet më serioze për sigurinë e shtetit polak që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkallë të plotë”.

Ai shtoi se situata mund të kishte qenë shumë më e rëndë nëse autorët nuk do ta kishin keqzbatuar sulmin.

Tusk kujtoi se Polonia është përballur me akte të tjera sabotimi vitet e fundit, duke theksuar se deri tani janë arrestuar gjithsej 55 persona për veprimtari të tilla.

Ndërkohë, zëdhënësi i ministrit të Shërbimeve të Sigurisë, Jacek Dobrzynski, deklaroi se “të gjitha tregojnë” që shërbimet ruse qëndrojnë pas këtyre incidenteve. Ai e quajti sulmin një “akt terrorist” të iniciuar nga “shërbimet speciale nga Lindja”.

Dobrzynski theksoi se hetimi duhet të vazhdojë në mënyrë të fshehtë për të mos komprometuar punën e oficerëve: “Nuk mund të zbuloj në çfarë faze është hetimi apo cilat pista po analizohen. Shërbimet ruse do të dëshironin shumë ta dinin këtë informacion”./TheGuardian