Dy ushtarë amerikanë u vranë të premten në Jordani gjatë përballjes me sulmet me raketa balistike dhe dronë të lëshuar nga Irani, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM). Një ushtarak tjetër rezulton ende i zhdukur.
Sipas CENTCOM-it, katër pjesëtarë të tjerë të forcave amerikane u dërguan për trajtim në spitalet jordaneze, por më vonë u liruan, ndërsa ushtarët e tjerë me lëndime të lehta janë rikthyer në detyrë.
Në deklaratë thuhet se më 17 korrik, forcat amerikane dhe ato partnere po kryenin operacione mbrojtëse kundër sulmeve iraniane kur ndodhi incidenti. Identiteti i dy ushtarëve të vrarë nuk është bërë publik, pasi autoritetet amerikane po presin që fillimisht të njoftohen familjet e tyre.
Agjencia shtetërore jordaneze e lajmeve Petra raportoi se sistemet e mbrojtjes ajrore të Jordanisë rrëzuan gjithashtu disa raketa iraniane gjatë së njëjtës ditë.
Këto janë vdekjet e para të ushtarëve amerikanë si pasojë e drejtpërdrejtë e sulmeve iraniane që nga fillimi i konfliktit. Me këtë incident, numri i përgjithshëm i ushtarëve amerikanë të vdekur gjatë luftës arrin në 16. Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 430 ushtarë amerikanë janë plagosur, ndërsa 14 viktimat e tjera humbën jetën në incidente të ndryshme, përfshirë rrëzimin e një avioni cisternë mbi Irak.