Dy vite pas sulmit në Zveçan – Sveçla: Veriu i Kosovës sot frymon ndryshe
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar sot dyvjetorin e sulmit të dhunshëm të 29 majit 2023 në komunën e Zveçanit, ku grupe kriminale serbe të mbështetura nga Beogradi sulmuan ushtarët e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës. Në një postim në Facebook, Sveçla theksoi se qëllimi i sulmit ishte […]
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar sot dyvjetorin e sulmit të dhunshëm të 29 majit 2023 në komunën e Zveçanit, ku grupe kriminale serbe të mbështetura nga Beogradi sulmuan ushtarët e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës.
Në një postim në Facebook, Sveçla theksoi se qëllimi i sulmit ishte pengimi i marrjes së detyrës nga kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore të vendit. Ai kujtoi se dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës u plagosën gjatë atij që e cilësoi si “ngjarja më e dhunshme” e asaj kohe.
“Sot, bandat janë shpartalluar, ndërkohë që kryetarët punojnë normalisht dhe qytetarët marrin shërbimet e nevojshme. Zveçani dhe veriu sot frymojnë ndryshe,” shkroi Sveçla.
Ngjarjet e 29 majit 2023 shënuan një nga momentet më të tensionuara në veri të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, duke sjellë reagime të shumta ndërkombëtare dhe rritje të pranisë së sigurisë në atë zonë.















