Dy vjet e gjysmë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, cilat ishin kontributet e Armend Mehajt?
Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Mbrojtjes, në të cilën shërbeu pak më shumë se dy vjet. Arsyet e dorëheqjes janë bërë të ditura nga vetë Mehaj, duke theksuar se kanë të bëjnë vetëm me çështje personale apo familjare. Nën udhëheqjen e Mehajt, në dy vitet e para është dyfishuar buxheti […]
Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Mbrojtjes, në të cilën shërbeu pak më shumë se dy vjet. Arsyet e dorëheqjes janë bërë të ditura nga vetë Mehaj, duke theksuar se kanë të bëjnë vetëm me çështje personale apo familjare.
Nën udhëheqjen e Mehajt, në dy vitet e para është dyfishuar buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes nga 64 milionë euro, në 123 milionë. Po ashtu, gjatë mandatit të tij janë rekrutuar rreth 1836 rekrutë të rinj.
Gjatë viteve 2021 dhe 2022, Ministria e Mbrojtjes e kishte realizuar pothuajse në plotni buxhetin vjetor. Në 2021 ishte 96 për qind e buxhetit të realizuar, kurse më 2022 realizimi ishte 95%.

Po ashtu, nën mandatin e Mehajt, FSK-ja pati suksese në shkollimin e ushtarëve dhe të oficerëve, të cilët mbi 16 herë ishin dërguar në akademi ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermani, Turqi, Shqipëri, Kroaci e kështu me radhë.
FSK-ja gjatë kësaj kohe e ka ndihmuar edhe shtetin e Turqisë në kërkim-shpëtimin e njerëzve si pasojë e tërmetit vdekjeprurës.

Nën udhëheqjen e ministrit Mehaj, për herë të parë në historinë e FSK-së, është marrë pjesë në misionet e mbështetjes së paqes në Lindje të Mesme dhe në Ishujt Falkland, përkrah ushtrive partnere të ShBA-së dhe të Britanisë së Madhe.
Së fundmi, para tri javësh, ishte bërë e ditur se Kosova ka blerë disa dronë Bayraktar nga Turqia, kjo për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës.
Dronët “Bayraktar TB2” bëjnë pjesë te kategoria e dronëve më të mëdhenj.
Droni “Bayraktar TB2” është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit.
Pas dorëheqjes, Mehaj e falënderoi popullin e Kosovës, dhe tha se zgjedhja e Ejup Maqedoncit si zëvendësim për të ishte zgjidhja e duhur.
















