Dy vjet nga 14 shkurti, a i ka përmbushur pritshmëritë qeveria?
Dita për të cilën flet kryeministrit, Albin Kurti, ishte saktësisht dy vite më parë. Në koalicioni me partinë e politikanes që po i qëndronte në krahun e djathtë fituan mbi 50% të votave. Krahas plan-programit, kreu i Vetëvendosjes premtimet i kornizonte në dy fjalë. “Me dy fjalë mund të përmblidhet kjo fushatë e jonja drejtësi […]
Dita për të cilën flet kryeministrit, Albin Kurti, ishte saktësisht dy vite më parë. Në koalicioni me partinë e politikanes që po i qëndronte në krahun e djathtë fituan mbi 50% të votave. Krahas plan-programit, kreu i Vetëvendosjes premtimet i kornizonte në dy fjalë.
“Me dy fjalë mund të përmblidhet kjo fushatë e jonja drejtësi dhe punësim. Ama jo drejtësi veç në gjykata po drejtësi në krejt shoqërinë. Dhe jo punë sa për punësim, por punësim profesional”
Sot 2 vjet nga dita kur fituan zgjedhjet, ekonomisti Safet Gërxhaliu thotë se temat politike kanë ngufatur shpresën për ekonomi të shëndoshë.
“Mjerimi është që të gjitha këto kontribute edhe të sektorit privat edhe remitencat e diasporës shumë më tepër e kanë rritur konsumin sesa prodhimin. Shumë më tepër e kanë rritur eksportin e parasë së gatshme sesa krijimin e vendeve të reja të punës dhe shumë më tepër e kanë varfëruar Kosovën”, ka deklaruar Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike vlerëson se dialogu ka zaptuar agjendën e Qeverisë, e cila konsideron se progres të vogël ka shënuar në luftën kundër korrupsionit, por nuk ka qenë imune ndaj punësimeve partiake.
Performancë jo shumë pozitive e Qeverisë vlerësohet edhe në Politikën e Jashtme.
“Çka kjo Qeveri ka arritur të bëjë është të ndërroj disa shërbyes civilë, të ndërroj disa shërbyes të shtetit të Kosovës në ambasada jashtë vendit. Ndërsa unë nuk mendoj se ka ndryshuar një kurs të politikës së jashtme, Bile edhe këto ndryshime janë refleksion i politikës së brendshme”, ka thënë Abit Hoxha, ligjërues në Universitetin Agder në Norvegji.
Studiuesi dhe hulumtuesi Abit Hoxha vlerëson se as në fushën e sigurisë nuk ka shumë përparime, përfshirë këtu edhe situata në pjesën veriore.
“Si me thënë në prezantimin e ligjit për shërbim ushtarak të obligueshëm edhe ajo që u përfol se ka një aplikim për NATO i cili doli se nuk është aplikacion për NATO-n por shprehje e dëshirës…Në veri ballafaqohemi me sfida të njëjta në veri, ballafaqohemi me policinë me sfida të njëjta, pa sigurime jetësor, pa sigurimin shëndetësore”, ka shtuar Abit Hoxha, ligjërues në Universitetin Agder në Norvegji.
Hoxha thekson se përkundër që është rritur buxhetit për mbrojtje, shumica shpenzohet në mallra dhe shërbime.
Sipas profesorit universitar në politikën e brendshme pamundësia me i realizu premtimet elektorale është përkthyer në mbyllje të komunikimit me mediat lokale në Kosovë.
Krahas tyre vlerësime të ndryshme kanë edhe qytetarët, disa prej të cilëve thonë se duhet më shumë kohë për të vlerësuar punën e ekzekutivit.
“Nuk ka dobi për popull nëse ndërrohen pushtetarët dhe veprimi është i njëjtë. Çka fituam nëse hajni e zëvendëson hajnin”, ka theksuar Xhevat Aliu, Qytetar.
“… Ndoshta për tatimin në pronë janë ngutë pak, duhet të analizohet pak ma mirë. Njerëzit nuk do të munden me pagu”, ka thënë Hasan Beselica, Qytetar.
“Ishallah pshtojna, tani rahatohemi. Çka me thanë, punët nuk po shihen që janë të mira. Ky i ka gjetë krejt të renditura. Tash e ka shumicën, pse nuk po punon?”, ka sqaruar Islam Dervishi, Qytetar.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, për herë të parë një parti kishte fituar mbi 50% të votave, gjithsej mbi 438 mijë votues i kishin dhënë besimin Lëvizjes Vetëvendosje.















