Dy zjarrfikës në SHBA qëllohen për vdekje gjatë një prite të armatosur teksa po shkonin për të shuar një zjarr
Dy zjarrfikës u vranë dhe një tjetër u plagos në shtetin e Idaho-s, në veriperëndim të SHBA-së, teksa po ndërhynin për të shuar një zjarr në shkurre pranë qytetit Coeur d’Alene, raporton BBC. Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Kootenai, sulmuesi hapi zjarr me një automatik në drejtim të zjarrfikësve, duke shkaktuar vdekjen e dy […]
Dy zjarrfikës u vranë dhe një tjetër u plagos në shtetin e Idaho-s, në veriperëndim të SHBA-së, teksa po ndërhynin për të shuar një zjarr në shkurre pranë qytetit Coeur d’Alene, raporton BBC.
Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Kootenai, sulmuesi hapi zjarr me një automatik në drejtim të zjarrfikësve, duke shkaktuar vdekjen e dy prej tyre.
Njësia speciale SWAT gjeti më vonë pranë vendit të ngjarjes një burrë pa shenja jete, i cili dyshohet të jetë autori i sulmit.
Sherifi Robert Norris tha se sulmuesi me qëllim kishte ndezur zjarrin në mal, për të nxjerrë në pritë reaguesit e parë.
“Ishte një pritë totale. Këta zjarrfikës nuk patën asnjë mundësi”, tha ai.
Afër trupit të pajetë të të dyshuarit u gjet një armë zjarri, pas një përballjeje disaorëshe me forcat e rendit.
Autoritetet ende nuk e kanë identifikuar zyrtarisht sulmuesin dhe nuk kanë dhënë detaje mbi mënyrën se si ai vdiq.
As emrat e zjarrfikësve të vrarë nuk janë bërë publikë.
Hetimet paraprake tregojnë se në sulm ka vepruar vetëm një person, ndonëse në fillim ishte raportuar se mund të ishin katër.
Sherifi Norris ka paralajmëruar se sulmuesi mund të ketë fshehur armë të tjera në zona të ndryshme përreth.
Ngjarja ndodhi rreth 6.5 kilometra në veri të qendrës së Coeur d’Alene.
Zjarri, i cili besohet se u ndez qëllimisht, ka përfshirë mbi 8 hektarë të malit Canfield.
Banorët janë njoftuar se zjarri mbetet aktiv, por urdhri për t’u strehuar është hequr.















