Samir Ujkani, zëvendësdrejtor i Kombëtares së Kosovës, është emëruar edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), mirëpo ky emërim nuk është bërë gjatë Kuvendit të rregullt të punës së FFK-së.
Komisioni i Ministrisë së Sportit, i cili ka shqyrtuar rregullshmërinë e Kuvendit, ka konstatuar se emërimi i Ujkanit është i parregullt dhe se ai nuk është votuar nga delegatët, siç kërkohet me procedurë. Për më tepër, vetë FFK nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për këtë emërim.
Avokati Nasuf Hasani ka ngritur dyshime serioze se procesverbali i Kuvendit ose vendimi për emërimin e Samir Ujkanit mund të jetë falsifikuar. Sipas tij, nëse këto dyshime vërtetohen, atëherë kemi të bëjmë me falsifikim të dokumentit zyrtar – një vepër penale e dënueshme me burgim nga 6 muaj deri në 5 vite, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
