nspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë në Prishtinë dhe Gjilan, nën dyshimin për përfshirje në vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit të IPK-së, tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë dyshohen për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kontrollimi i kundërligjshëm”.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur më 15 tetor, pas mesnatës, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen Lakërishte në Prishtinë ku sipas pretendimeve të ankueses, ajo ishte duke drejtuar veturën kur u ndalua dhe u kontrollua nga zyrtarët policorë. Më pas, sipas saj, ata i kishin kërkuar të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual, njofton Dukagjini.
Me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, lidhur me rastin është iniciuar procedurë penale për veprat e dyshuara.
IPK-ja ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe pretendimeve të ngritura.
Në një rast tjetër, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, më 15 tetor 2026, rreth orës 23:00, në Gjilan, zyrtarët policorë dyshohet se kanë ndaluar një qytetar dhe e kanë futur në veturën zyrtare.
Gjatë këtij veprimi, sipas pretendimeve, ndaj qytetarit është ushtruar abuzim verbal dhe i është cenuar privatësia, përfshirë marrjen e telefonit të tij pa urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Dyshimet fillestare sugjerojnë se rasti mund të ketë lidhje me një ankesë të paraqitur nga i njëjti qytetar në korrik të vitit 2026, ndaj zyrtarëve policorë në fjalë, nën dyshimin për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve policore.