Njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë ndërmarrë veprime hetimore në Prishtinë, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore farmaceutike.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, më 17 dhjetor, rreth orës 10:30, janë realizuar urdhëresa për kontroll në disa lokacione, ku gjatë bastisjeve është sekuestruar sasi e konsiderueshme e produkteve medicinale, regjistra të ndryshëm të klientëve dhe shërbimeve të ofruara, si dhe pajisje elektronike, përfshirë llaptopë, shtëpiza kompjuterike dhe DVR të kamerave të sigurisë.

Në kuadër të hetimeve, në cilësi të personave të dyshuar janë intervistuar njëmbëdhjetë persona në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa katër personave të tjerë u është lënë ftesë për t’u paraqitur në organet e hetuesisë.

Me vendim të prokurorit të rastit, të gjithë të dyshuarit janë liruar, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njoftoi të mërkurën për aksion të gjerë lidhur me dyshimet për ofrim të kundërligjshëm të shërbimeve estetike me përdorimin e botoksit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, në kuadër të këtij aksioni janë kontrolluar gjithsej 15 lokacione, përkatësisht biznese që operojnë në territorin e Prishtinës, ku dyshohet se janë ofruar shërbime estetike në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Prokuroria dhe Policia në aksion: Kontrolle në 15 biznese në Prishtinë për shërbime estetike ilegale me botoks